Lutfi Haziri: Mandati i vetëm i kryeministrit Kurti është të negociojë për njohje të ndërsjelltë

Aktuale

Lutfi Haziri: Mandati i vetëm i kryeministrit Kurti është të negociojë për njohje të ndërsjelltë

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 18:11
Lutfi Haziri

Kryeministri Albin Kurti duhet të negociojë me Serbinë një marrëveshje, e cila përfshin njohjen reciproke mes të dyja vendeve.

Numrit një të qeverisë, këtë, po ia rikujton nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ky i fundit, këtë mesazh, e dha në një intervistë e realizuar vetëm pak ditë pasi në media po qarkullon një propozim franko-gjerman, sipas të cilit, Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh atë formalisht.

“Mandati  i vetëm i kryeministrit Albin Kurit është të negociojë për njohje të ndërsjelltë, e jo për dicka tjetër”, theksoi Haziri.

I prerë, numri dy i LDK-së, ishte edhe sa i përket qëndrimit që Qeveria e Kosovës duhet të ketë karshi Asociacionit.

“Kushtetushmëria dhe sovraniteti unitar i vendit nuk mund të negociohet”, theksoi Haziri.

Në internet po ashtu po qarkullon një propozim “gjerman” që përcakton statutin e Asociacionit.

Sipas këtij drafti, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Drafti i cili përmban 17 nene parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi. Një vit pas funksionalizimit, statuti i tij mund të shqyrtohet nga Qeveria. Sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.

Për këtë dhe dokumente tjera, Haziri nuk pranoi të flasë – të paktën jo deri sa ato të jenë zyrtare.

“Sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015, qeveria duhet ta draftojë dokumentin për statutin e Asociacionit. Dokumenti i prezantuar në media nuk e ka origjinën në Prishtinë. Nuk e ka pa askush dokumentin, nuk vlerësojmë me paragjykime, përderisa dokumenti nuk ndahet me deputetët, ne nuk mund të spekulojmë asgjë”.

Ai tregoi se pse nuk i shkuan për takim të premten kryeministrit, Albin Kurti.

“Ne kemi propozuar në takimin e fundit dhe kemi marrë premtim nga takimi i fundit që kemi pasur me kryeministrin që ai duhet t`i adresohet Kuvendit. LDK si parti opozitare, rolin e vetëm e kanë në Kuvend”.

Me këtë rast pati një kërkesë për kryeqeveritarin.

“Është dashur që kryeministri, sot ose kurdo që mundet, me adresu në Kuvend, raportin e tij për negociatat, arritjet dhe dokumentin e fundit franko gjerman”, vlerësoi Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat