Kurti, telefonatë me Borrell, bisedojnë për kornizën e ujdisë finale me Serbinë

Aktuale

Kurti, telefonatë me Borrell, bisedojnë për kornizën e ujdisë finale me Serbinë

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 19:05
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Sipas komunikatës së ZKM-së, Kurti dhe Borrell folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, dhe për çështje aktuale.

Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.

Përpos me kryeministrin Kurti, Borrell ka biseduar edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka njoftuar se qëllimi i kësaj bisede ishte përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia është e përkushtuar të vazhdojë procesin dhe t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë Vuçiqi në Twitter. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat