Cilën marrëveshje e pranon opozita?

Aktuale

Cilën marrëveshje e pranon opozita?

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 20:34
Pamje nga takimi në Bruksel

Për Partinë Demokratike të Kosovës, secila marrëveshje me Serbinë, që nuk parasheh njohjen e Kosovës, nuk duhet pranuar.

Kështu po thotë anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e PDK-së, Ariana Shoshi – Musliu.

Ajo kritikon Kurtin për mostransparencë, derisa thotë se nuk po dihet fati që e pret Kosovën.

“Personalisht mendoj që nuk duhet pranuar asnjë marrëveshje qe është në kundërshtim me atë që ne jemi sot, pra njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Sot, kemi një kryeministër me +50%  të besimit të qyetatarëve nuk e dijmë cili është qëndrimi i tij, çka negocion dhe cili është fati i vendit tonë”, tha ajo.

Por situata po i duket e rrezikshme, Partisë Socialdemokrate që po e kritikon Kurtin për mostransparencë.

Kurse, Haki Abazi, deputet i partisë së shefit të qeverisë, konfirmon se dialogu ka filluar të bëhet më intensiv.

Thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Nuk ka propozim gjerman, ka vetëm një propozim është Asociacioni i komunave, i cili duhet të formohet bazuar në ligjet ekzistuese të vendit. Nuk ka Asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Nuk mundet një shtet që ka bërë gjenocid në të kaluarën të vendosë kushte për qytetarët e Kosovës”, tha Abazi.

Media ka tentuar të marrë deklarime edhe nga partitë tjera kosovare për qëndrimet e tyre se cila është marrëveshja me Serbinë që do të ishte e pranueshme, mirëpo nuk kanë pranuar të flasin.

Derisa, ditëve të fundit në Kosovë, kanë qëndruar dy figurat kryesore ndërkombëtare për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.

Ata janë takuar me krerët më të lartë të vendit dhe temë diskutimi ka qenë dialogu me palën serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat