Osmani: Kosova as nuk ka interes, as qëllim që të largohet nga kërkesa për njohje reciproke
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se partnerët ndërkombëtar nuk kanë kërkesë që Kosova të heq dorë nga njohja reciproke me Serbinë, pasi e dinë që kjo është e domosdoshme.
Osmani i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin e Maltës, George Vella. Sa i përket marrëveshjes finale, ajo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës, një marrëveshje finale pa njohje reciproke.
Osmani: Kosova as nuk ka interes, as nuk ka qëllim që të largohet nga kërkesa për njohje reciproke
“Është rikonfirmuar jo vetëm brenda Kosovës por edhe nga partnerët strategjik më shumë se një herë. Kjo është që njohja reciprote është e vetmja zgjidhje që sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshjet specifike të cilat diskutohen në Bruksel, siç e dini ka qenë çështja e energjisë, akoma vazhdojnë diskutimet për fatin e të zhdukurve me dhunë, marrëveshje të cilën Kosova e shtynë me shumë ngulmë sepse siç e dini ka të bëjë me fatin e mbi 1600 qytetarëve tanë, akoma të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, apo tema tjera që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes dhe përpjekjet e partnerëve tanë ndërkombëtar që të gjitha këto çështje të shtyhen përpara në një mënyrë të intensifikuar, megjithatë nuk ka pas kërkesë, qoftë nga ShBA, qoftë nga partnerët tjerë brenda BE-së, asnjëherë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke sepse të gjithë e kuptojnë se ajo është domosdoshmëri e cila e përmbyll një kapitull të dhembshëm të asaj çfarë ka ngjarë në Ballkanin Perëndimor që kanë qenë luftëra të tmerrshme të iniciuara dhe të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë, prandaj njohja reciproke është domosdoshmëri të jetë pjesë e marrëveshjes finale. Kurse siç e dini qëndrimi amerikan ka qenë dhe është i qartë, me shkrim presidentin Biden me shkrim ka kërkuar që njohja reciproke të jetë në qendër të këtij procesi dhe po ashtu edhe sekretari Blinken dhe Kosova as nuk ka interes, as nuk ka qëllim që të largohet nga kërkesa për njohje reciproke si pjesë e marrëveshjes finale”, tha ajo.