Pas shumë kritikave nga opozita, Kuvendi miraton Strategjinë e Sigurisë

Aktuale

Pas shumë kritikave nga opozita, Kuvendi miraton Strategjinë e Sigurisë

Më: 24 tetor 2022 Në ora: 09:28 Përditësuar në ora: 14:21 më 24.10.2022
Kuvendi i Kosovës

Musliu-Dugollit: Bini në bark e shpinë, rrotullohuni si të doni, historinë s’keni me mujt me rishkru

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka replikuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli rreth Strategjisë së Sigurisë 2022-2027.

Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është treguar mjaftë e ashpër ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht ndaj Enver Dugollit.

Ajo ua ka përsëritur se nuk do ta kenë mundësinë që të rishkruajnë historinë.

“Jepjani edhe 20 herë fjalën Enver Dugollit, se nuk mundet me e bë këtë strategji më të mirë se që është. Kjo veç strategji nuk është. Të drejtë me marrë fjalën nuk pati, sepse në emër të komisionit e paraqet raportin kryetari i Komisionit dhe asnjë deputet tjetër. Dhe tha, nuk përmendët, tha memoria institucionale se nuk duam të bëjmë çka keni bë ju që 20 vjet. Veç një fjalë po ua them, bini në bark e shpinë, rrotullohuni si të doni, historinë s’keni me mujt me rishkru. Ky vend ka histori, ky vend ka memorie institucionale, ky vend ka edhe ka me pas njerëz që i vazhdojnë projektet e mira që kanë qenë. Prandaj mos u koritni o burra. Mos u koritni sepse jeni dalë përtej Bilahi duke mohuar gjithçka që është bërë në këtë vend”, është shprehur Musliu. 

​Kuvendi miraton strategjinë për siguri

Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro dhe një abstenim miratoi strategjinë për siguri 2022-2027.

Para votimit, kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të këtij dokumenti, tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Kurti, nga foltorja e kuvendit, iu ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në fondin për siguri. Ai tha se krahas rritjes se buxhetit dhe krijimit të Fondit të Sigurisë kanë përshpejtuar blerjet ushtarake dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Kurti: Edhe më tutje ju inkurajoj të kontribuoni në fondin e sigurisë

Buxhetit të rritur për ushtrinë po i shtohen çdo ditë edhe mjetet e dhuruara nga qytetarë shqiptarë gjithë andej botës në Fondin e Sigurisë. E për këtë do të doja ta shfrytëzoj rastin që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ta falënderoj secilën e secilin që ka kontribuar për Fondin e Sigurisë deri më tani. Gjithashtu, inkurajoj çdo njërin që ka mundësi financiare dhe vullnet patriotik të kontribuojë edhe më tutje në këtë fond të sigurisë. Krahas rritjes se buxhetit dhe krijimit të Fondit të Sigurisë kemi përshpejtuar blerjet ushtarake për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit”, tha Kurti.

Ndërsa, partitë opozitare kanë shprehur kritika për këtë draft-strategji të sjellë nga Qeveria në Kuvend.

Deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj theksoi se kjo strategji ka nevojë të plotësohet.

Qalaj: Strategjia duhet të plotësohet

Kjo strategji ka nevojë që të plotësohet dhe të merren parasysh kontributet e të gjithë atyre që kanë dhënë komente e që nuk është marrë parasysh asnjë në fazën kur kjo strategji ka qenë në diskutim publik. Strategjia e Sigurisë nuk është strategji e një partie politike, e një individi, por po flasim për vendin”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo strategji për siguri nuk reflekton disa prej ndryshimeve kryesore që kanë ndodhur në rajon dhe në botë.

Hoti: Strategjia s’reflekton disa prej ndryshimeve kryesore që kanë ndodhur në rajon e botë

Rrethanat e sigurisë që e determinojnë strategjinë e një vendi sa i përket çështjeve të sigurisë kanë ndryshuar rrënjësisht. Edhe duket që ky draft për strategji të sigurisë është përgatitur ndoshta vitin e kaluar ose në muajt e parë të këtij viti dhe nuk i reflekton disa prej ndryshimeve kryesore që kanë ndodhur në rajon dhe në botë, e që duhet të reflektohen në qasjen që kemi ne si shtet për këtë temë”, tha Hoti.

Para votimit, edhe deputeti nga Vetëvendosje, Fatmir Humolli tha se ky dokument duhet të plotësohet për t’i ndihmuar siç tha ai sigurisë së Kosovës. Ai po ashtu tha se mënyra se si është sjellë ky dokument në kuvend është e gabueshme.

Humolli: Mënyra se si është sjellë ky dokument është e gabueshme

Mënyra si është ofruar është e gabueshme, dhe nëse vjen si dokument në Komision me kaluar pa debat dhe pa plotësime prej nesh, atëherë pse ne me ngritur dorën me votuar për këtë. Është sjellje nënçmuese dhe për këtë në Komision nuk kam votuar pro këtij dokumenti dhe kam abstenuar”, tha ai.

Pas votimit të kësaj strategjie, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00. 

Musliu: Morali i ushtarit dhe policit në Kosovë ka rënë për toke

Deputetja Ganimete Musliu ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit se Strategjia e Sigurisë është e mangët.

Sipas Musliut, në këtë Strategji thuhet se ekziston mundësia e shndërrimit të shërbimit ushtarak në obligativ, teksa nuk ka përputhje me deklaratën e ministrit Mehaj, i cili kishte thënë se nuk do të ketë një gjë të tillë.

Gjuha deskriptive e përdorur në këtë dokument tregon shterpësinë e artikulimit të qartë të sfidave dhe nevojave të Kosovës në fushën e sigurisë por edhe mungesën e hapave konkret që shteti i Kosovës do të duhej t’i kishte parasysh në rrethana të caktuara alternative”, deklaroi Musliu.

Kjo strategji nuk ka ndonjë plan për t’u anëtarësuar në NATO dhe për të ju qasur shteteve mosnjohëse në mënyrë që të arrihet kjo objektivë jetike për shtetin e Kosovës” shtoi deputetja e PDK-së.

Kerkoj urgjentisht nga Kryeministri Albin Kurti që të ndërhyjë dhe ta ndalë demotivimin e ushtarëve dhe policve.

Morali i ushtarit dhe policit në Kosovë ka rënë për toke.”

Konufca - Berishës: E morët fjalën pa të drejtë

Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, patën disa mospajtime.

Deklarimi në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i deputetit Berisha kur tha se AAK-ja nuk do ta votojë këtë strategji, nxiti reagimin e Konjufcës.

Ky i fundit tha se deputeti e keqpërdori foltoren e Kuvendit. Ai tha se si deputet me përvojë, Berisha duhej ta dinte këtë.

Konufca - Berishës: E morët fjalën pa të drejtë

Ju e morët rendin e Komisionit pa të drejtë, ka dal de. Ja japim fjalën Komisionit një herë. Deputeti Enver Dugolli e prezanton qëndrimin e Komisionit pastaj deputetët vijnë me radhë. Kush e prezanton qëndrimin e Komisionit, z. Berisha? Nuk prezantove qëndrim të Komisionit. Nuk është qëndrim i Komisionit, Grupi i AAK-së do të votojë kundër, qysh? Kaq përvojë keni në Kuvend të Kosovës për besë”, tha Konjufca.

Sërish ka replikuar deputeti Berisha ndaj kryetarit të Kuvendit, i cili tha se: “Kur po thua ti s’pe di unë, po më duket s’po e dinë ti”.

Berisha: Kur po tua ti s’pe di unë, po më duket s’po e dinë ti

Kryetar unë e tregova rrjedhën se qysh është dashur me shkuar dhe fola për mos pajtimet e mija, sepse ishte dashur me shkuar sipas rrjedhë së vetë, pa u draftuar është dashur me ardhur në Komision për me mundur ne të gjitha partitë politike me dhënë kontributin tonë në mënyrë që ky dokument të jetë gjithë përfshirës. Ne jemi anashkaluar, ka muaj që e kam kërkuar këtë dhe s’kam marrë përgjigje... dhe rrugëdalja është që ky draft të kthehet në Komision në formën e rregullt ashtu siç funksionon parlamenti I Kosovës, kur po thua ti s’pe di unë, por po më duket s’pe dinë ti. Nuk është kjo strategji e Enver Dugollit e as e kryeministrit, por duhet me qenë e të gjithëve. Këtë jam duke u munduar me ua treguar”, tha ai. 

Kurti paraqiti dokumentin për Strategjinë e Sigurisë, Berisha: Është i dobët

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bekë Berisha, ka komentuar dokumentin për strategjinë e sigurisë, të paraqitur sot nga kryeministri Albin Kurti.

Berisha ka kritikuar ashpër këtë dokument duke thënë se është i përpunuar shumë dobët.

Ai ndër të tjera tha se nuk kanë qenë paraprakisht as ai e as anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri në lidhje me këtë dokument.

Më poshtë keni fjalimin e plotë të Berisha:

Sot kam me vete katër dokumente, pesë me atë që është aktual e që është një dokument i dobët. Poashtu kam tri dokumente të strategjisë të përpunuara nga qeveritë e kaluara, të cilat janë poashtu të dobëta dhe dokumentin e fundit që e paraqiti kryeministri e që paraqet strategjinë ndërkombëtare të sigurisë për tani e tutje, e që është një dokument “frankstein” e që është i përbërë prej dokumenteve paraprake që kanë qenë të dobëta, mirëpo këtu sikur është forcu pak me një fjalim të kryeministrit”.

“Neve na u tha që e kemi shqyrtu, por neve na erdh si dokument i gatshëm. Ky dokument nuk është sekret, këtë kanë të drejtë me komentu qytetarët e Kosovës, deputetë, por mbi të gjitha edhe Komisioni për Siguri. Ky është mbajtë msheftë nga Komisioni, apo është mbajtur mshef prej meje. Tash, unë ju tregoj si është shku rrjedha e kësaj pune…
Strategjia e fundit e cila është ardhë sot si draft, ka dalë për publikun qysh në muajin mars të këtij viti. As unë e as anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht. Qeveria na ka dorëzu, vetëm pasi është shqyrtu nga kryeministri duke anashkaluar Komisionin për Siguri dhe çështje të mbrojtjes.
Kjo strategji nuk duhet të mbahet sekret, por u mbajt nga Qeveria”.

“Personalisht nuk jam i ftuar e as i informuar në asnjë mbledhje të Këshilli Kombëtar të Sigurisë, e cila më takon si vëzhgues.

Ky dokument nuk është një strategji, por është mbledhje e katër dokumenteve të dobëta. Këtë dokument të fundit e ka përpilu një zyrtar i shtetit, për të cilën e falenderoj për mundin por nuk është ekspert dhe nuk ka ditë ta bëjë. Ky është një dokument i rëndësishëm. Është një djalë i ri, punon qaty në Kryeministri.

Ky dokument nuk e ndihmon sigurinë. Ju merreni qysh doni, analizoni, por ky dokument nuk është adekuat”, tha Berisha.

Kurti prezanton Strategjinë e Sigurisë: Lidhet me elemente jetike për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitin 2022-2027.

Kryeministri Kurti theksoi se ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Kurti tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë.

Kurti: Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian

Ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë”, tha Kurti.

Ai tha se kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës.

Kurti: Strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë

Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë, e cila njeh rreziqet kërcënimet dhe sfidat për Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht paraqet mundësinë dhe vizionin për të ardhmen tonë. Kjo strategji do të prodhojë plane dhe dokumente tjera të cilat ndërlidhen me sigurinë kombëtare, me sigurinë publike, mbrojtjen dhe diplomacinë e që janë të domosdoshme për të orientuar, funksionalizuar dhe zhvilluar arkitekturën tonë të sigurisë. Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore. Ai është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe me përfaqësitë e shteteve të Qunit-it, por edhe të shteteve tjera mike sikurse që është konsultuar edhe me akademinë”, tha ai.

Sipas tij, në qeverisjen e tij i kanë dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre, duke u rritur për 52 për qind buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nga 63 milionë sa ishte vitin e kaluar në rreth 102 milionë për vitin 2022.

Kuvendi s’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Qeverinë dhe Noterinë

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare nuk ka pasur kuorum për votimin në lexim të dytë të Projektligjit me 11 amendamente për Qeverinë e Kosovës.

Përkundër që në seancë po marrin pjesë 73 deputetë, vetëm 54 prej tyre morën pjesë në votim.

Po ashtu, në këtë seancë nuk pati kuorum as për votimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.

Kuvendi tash po shqyrton Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, të cilin po e prezanton kryeministri Albin Kurti.

Gjatë javës së kaluar Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi për t’i votuar dy projektligje, atë për përcaktimin e çmimit tavan për produktet elementare dhe projektligjin për mbështetjen e punëve publike, e ka ndërprerë seancën për ta vazhduar sot. Në të dy këto projektligje kishin marrë pjesë jo më shumë se 58 deputetë, ndonëse të pranishëm në sallë ishin 70 deputetë.

Nis seanca plenare e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot në seancë plenare, me pikat e papërfunduara në seancën e javës së kaluar.

Në rend dite është votimi i Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky Projektligj është shqyrtuar të enjten e javës së kaluar, por në mungesë të kuorumin nuk është votuar.

Gjatë shqyrtimit deputetët opozitarë javën e kaluar, kanë shprehur kritika ndaj projektligjit, teksa e kanë kualifikuar atë si antikushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë të Kosovës. Përkitazi me këtë, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta tërheqë projektligjin.

Deputetët pritet të votojnë për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazike

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën plenare me pikat e papërfunduara gjatë javës së kaluar.

Projektligji për masat e përkohshme të produkteve bazike është shqyrtuar të enjten e javës së kaluar, por në mungesë të kuorumin nuk është votuar.

Gjatë shqyrtimit deputetët nga opozita kanë shprehur kritika ndaj Projektligjit duke e kualifikuar atë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka theksuar se ky Projektligj është hartuar për shkak të rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë duke shtuar se do të aplikohet në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

“Duke marrë parasysh situatën aktuale të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve bazë, si dhe ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria ka hartuar ligjin i cili do të aplikohet në rastet e destabilizimit në treg”, ka thënë Hajdari.

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në shtator të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat