Se a do të ketë një marrëveshje së shpejti mes Kosovës dhe Serbisë, siç edhe është bërë kryetemë në vend, kryekuvendari Glauk Konjufca u shpreh mosbesues.
Duke hedhur vështrimin kah struktura e qeverisë së re serbe, dhe konsoldimit të thellë të elementeve pro-ruse, Konjufca u shpreh mosbesues për mundësinë e arritjes së një marrëveshje të shpejtë. “Nuk jam optimist”, tha ai, referuar një marrëveshje të shpejtë.
Megjithatë, kryekuvendari u shpreh se njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi do t’i shërbente për të mirë tërë kontinentin evropian ngase, siç tha ai, “do të mbyllte çështje shumë të rëndësishme”.
“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë: inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme – është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë”.
Si shembuj më goditës, Konjufca e mori ministrin aktualisht më fashist në skenën politike serbe, Aleksandar Vulin’in dhe lojtarin politk serb më pro-rus, Ivica Daçiç’in. Njëri i emëruar në krye të BIA-s famëkeqe, tjetri i emëruar në pozitën e kryediuplomatit.
Konjufca, për këtë kastë politike të Beogradit, e merr për punë të kryer se “çfarë rruge [ata] duan të ndjekin”.
Daçiç në garën e tij në zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit ka garuar me tri premtime kryesore: “Kurrë në NATO, kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe kurrë njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Vulin, në anën tjetër, është më ekspliciti në adhurimin e tij ndaj Federatës Ruse, i cili së fundi udhëtoi edhe për në Moskë ku u prit nga kryediplomati më i padëshiruar aktualisht në botë, Sergej Lavrov.