Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua në Beograd me shefin e Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviç, me të cilin ka biseduar mbi situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin në dobi të stabilitetit rajonal.
Në një komunikatë për media, KFOR njoftoi se në takim u bisedua edhe për stërvitjen rutinë në Serbi të quajtur “Manovrat 2022”, organizuar nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe e cila do të zgjasë deri më 6 nëntor.
Gjeneralmajor Ristuccia theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ai shtoi se KFOR-i vazhdon të ofrojë kornizën e sigurisë së nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit të ecë përpara.