Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në qendër të Podujevës, shkruan Llapi.info.
Të plagosurit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkohë që njëri prej tyre ka qenë një kalimtar i rastit.
Përkitazi me këtë ka folur edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit ka deklaruar se ky rast ka prekur dhe tronditur të gjithë.
“Sipas informacioneve që kemi nga stacioni policor, bëhet fjalë për dy të plagosur – njëri prej tyre llogaritet të jetë pjesë e aktit që ka ndodhur – ndërsa tjetri kalimtar i rastit. Kjo ngjarje na tronditi të gjithëve. Në një moment kohor kur kishte frekuentim të madh të qytetarëve, të veprohet në atë formë ishte e rrezikshme. Falë Zotit janë vetëm këto dy raste, pasi situata ka mund të jetë më e rëndë”, ka thënë ai për ATV.
Më tej, i pari i Podujevës ka bërë thirrje sërish që të shtohet numri i pjesëtarëve të policëve në Stacionin Policor në Podujevë.
“Kemi mungesë të policëve. Jemi duke u brengosur për këtë. Besoj që është e rrugës që organet e rendit t’i identifikojnë gjithë autorët e këtij rasti dhe t’i rrisin masat e sigurisë”, ka thënë ai.