Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk ka pranuar të japë ndonjë mendim lidhur me shtyrjen e afatit për regjistrimin e veturave në targat RKS.
Sherifi tha se Kurti ka ardhur në pushtet me idenë se mund ta bëjë Serbinë të dorëzohet, prandaj sipas Sherifit, kryeministri i Kosovës le të veprojë tani.
“Nuk dua të jap mendim se a do shtyhet afati për targat, sepse kryeministri Kurti mund ta marrë si qëndrim të Nsmës Socialdemokrate për ta shtyrë apo mos ta shtyrë vendimin. Kjo është në kompetencë të tij kushtetuese, është kryeministër i vendit. Ka ardhur me premtime astronomike në pushtet. Ka ardhur me premtimin që sapo të vi në Qeveri do ta marr vesh edhe Serbia se këtu ka shtet dhe do të dorëzohet duke bërë kthim mbrapa në të gjitha vendimet të cilat ajo vazhdimisht i ka marrë. Prandaj, meqë për të tjerët kam dhënë këshillë, për këtë çështje nuk do jap mendim”, deklaroi Sherifi.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrimin e veturave në targat RKS. Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se afati i fundit për konvertimin e targave ilegale në targa RKS është 31 tetori.