Hisen Berisha nga PDK, ka paralajmëruar se mund të ketë tensione në veri të vendit, për shkak të mosshtyrjes së vendimit për çështjen e targave.
Sipas Berishës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka kërkuar në mënyrë të prerë shtyrjen e afatit për 10 muaj.
“Dhe unë kam dyshimet e mia se këtu po përgatitet një skenar i ri dhe se do të ketë një eskalim të qëllimshëm. Intenca ime është krejt çka thotë ShBA-ja, sepse mos me pas qenë ShBA-ja atje në Koshare më kishit pa në deti, mu bashkë me ushtarë”, tha ai.
Teksa tha se Partia Demokratike e Kosovës e mbështet zbatimin e ligjshmërisë, por jo të kryeneqsisë, sepse sipas tij, vendimi për mosshtyerjen e zbatimit të marrëveshjes për targa nuk është matur mirë.
“Vendimi nuk është matur mirë ndaj realitetit, a mundet me u zbatu, a ka kapacitete administrative në rend të parë, ligjore e pastaj ndoshta duhen edhe ushtarake“, shtoi ai.
Kurse një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale në ato RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.