“Shtyrja nuk është opsion”, Muja krahason PDK-në dhe LDK-në me Listën Serbe

Aktuale

“Shtyrja nuk është opsion”, Muja krahason PDK-në dhe LDK-në me Listën Serbe

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 23:35
Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka folur për çështjen e targave ilegale, e cila së fundmi është rikthyer në publik për shkak të kërkesës direkte nga shtetet e QUINT-it që një vendim i tillë të shtyhet për 10 muaj.

Ai renditi katër pika sa i përket të njëjtës temë, teksa bëri një ndërlidhje të pajtueshmërisë mes PDK-së dhe LDK-së me Listën Serbe.

Së pari, ai thotë se Kosova dhe Serbia në nëntor 2011, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, dakordohen si në vijim: autoritet e Kosovës vazhdojnë validitetin e targave të veturave [ilegale] për një periudhë 5 vjeçare.

Sipas tij, deri me 14 shtator 2016 të gjithë banorët e Kosovës do të përdorin tabela RKS ose KS.

“Dy Kryeministra të Kosovës nga PDK dhe LDK nuk ndërmarrin asgjë për zbatim të marrëveshjes, anipse dakordimi ishte në letër. 2. Serbia kërkon që afati për regjistrim të shtyhet. Qeveria PDK/LDK pajtohet. Sipas marrëveshjes së re të dakorduar më 14 shtator 2016, regjistrimi i veturave me targa [ilegale] fillon me 15 janar 2017 dhe zgjat deri me 15 janar 2018”, shkroi ai në Facebook.

“Afati i fundit për përdorim të tabelave KS do të jetë 15 shtator 2021. Qeveria PAN nuk ndërrmerr asgjë për zbatim të marrëveshjes. 3. Qeveria Kurti merr vendim për zbatim të marrëveshjes. Qeveria e Serbisë i kërkon faktorit ndërkombëtar që afati të shtyhet, ngjashëm si gjatë 11 viteve të fundit. Kësaj here nuk ka shtyrje”, shtoi Muja.

Ligjvënësi i pushtetit krejt në fund deklaroi se shtyrja e zbatimit të marrëveshjes nuk është opsion.

“Kosova ka një Qeveri të re”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat