Haxhiu e Musliu përplasen për raportin e WJP-së, Konjufca iu ndërhyn me humor

Aktuale

Haxhiu e Musliu përplasen për raportin e WJP-së, Konjufca iu ndërhyn me humor

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 12:25
Albulena Haxhiu dhe Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se është rezultat i opozitës pse Kosova po del më pozitive në raporte ndërkombëtare për vendin.

Derisa është diskutuar për raportin “World Justice Project”, ajo ka kritikuar pozitën e tanishme, duke thënë se dikur kishte shpifur për të njollosur vendin. Për këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se nuk ka pasur opozitë e qeveri më të mirë se tani. Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka reaguar ministres duke u shprehur se “Albulenë, e monopolizove krejt”.

Në seancë plenare, deputetja Ganimete Musliu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që në ambasada e vizita zyrtare kanë tentuar të njollosin vendin.

Musliu: Rezultat është i opozitës më shumë se sa i pozitës

“Raportet nuk shkruhen për ndërhyrje në gjyqësor, rezultat është i opozitës më shumë se sa i pozitës. Sepse nuk ka deputet e as deputete, nuk ka partiak cilido tabor opozitar që shkruan raporte kundër qeverisë, qysh keni shkruar ju. Nuk keni lënë zyrë pa shkuar dhe thënë ‘korrupsioni, korrupsioni, ndërhyrje politike, ndërhyrje politike’. Ata shkruajnë, çfarë dëgjojnë. Prandaj, puno e mos na sugjero, nuk kemi nevojë për mësues, as për këshilltar, jemi deputetë me përvojë të gjatë politike në Kuvend. Thjesht, ka ndryshuar situata, sepse opozita në Kosovë është përmbajtësore, nuk është demagogjike, shpifëse, intrigante dhe një pozitë e cila dëshiron që të njollosë gjithçka këtë vend”, tha Musliu.

Për këtë ka reaguar ministrja Albulena Haxhiu e cila tha se në opozitë e tani janë më të mirët.

Haxhiu: Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me t’nime Gane

“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me t’nime Gane. Nuk i bëjnë raportet me t’nime. Bëjnë një analizë, bëjnë një vlerësim, takojnë organizatat e shoqërisë civile dhe akterët e tjerë, pastaj i bëjnë raportet. Dhe e dyta, me bindje të plot e them ky kuvend s’ka pasur asnjëherë opozitë më të fuqishme se LVV dhe asnjëherë s’ka pasur qeveri më të fortë se LVV. Faleminderit”, ka thënë Haxhiu.

Deklaratat e kryeparlamentarit Glauk Konjufca kanë nxitur të qeshura në Kuvend derisa i tha Haxhiut që të mos monopolizojë me meritat.

Konjufca: Albulenë, e monopolizove krejt

“Pse nuk po i ndani kapak meritat... Albulenë, e monopolizove krejt edhe në opozitë më të mirët edhe në qeveri më të mirët. Ngadalë, se mundet tani “mësysh”, nuk bën ashtu. Kështu nuk po replika nuk po replika në këtë pjesë Gane”, tha Konjufca.

Më tej, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka vazhduar me kritika.

Musliu: Ju jeni vetëm për opozitë

“Unë pajtohem pjesërisht me Albulena Haxhiu, ju jeni vetëm për opozitë për qeveri jeni dëshmuar moti që nuk ja keni haberin”, ka vazhduar Musliu.

Për këtë nuk ka replikuar Haxhiu, për çka Konjufca tha se ka ‘mbetur pa tekst’.

Konjufca: Albulena po thotë më ka lanë tekst

“Albulena po thotë më ka lanë pa tekst, kështu që vazhdojmë”, ka përfunduar Konjufca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat