Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës thotë se shtyrja e afatit për targat nuk është humbje e madhe

Aktuale

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës thotë se shtyrja e afatit për targat nuk është humbje e madhe

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 18:24
Ramë Manaj

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj deklaroi se nuk është humbje e madhe shtyrja e afatit për targat.

Këtë deklaratë ai e bëri duke diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Manajt, Kosova nuk ka interes nga përshkallëzimi i situatës, gjë kjo për të cilën thotë se mund të ndodhë.

“Nuk është humbje e madhe edhe shtyrja e afatit ashtu siç e propozon Bashkësia Ndërkombëtare, para se gjithash për faktin që nëse jo çfarë do të bëjmë, çfarë do të ndodhë, do të përshkallëzohet situata edhe më tutje. Prej përshkallëzimit para së gjithash ne nuk kemi interes, për të mos thënë kemi humbje në kohën kur pritet që dialogu të vazhdojë duke intensifikuar dhe mbase afër përfundimit të tij”, tha Manaj.

I pyetur se çfarë ndikimi do të mund të ketë në proces të dialogut çfarëdo situate e tensionuar, Manaj tha se kjo do të mund të kishte ndikim negativ në dialog pasi që sipas tij Serbia është e interesuar që ta shtyjë këtë proces.

“Do të ketë ndikim të keq sepse Serbia dhe politika e saj e gjithë këtyre viteve mezi pret të gjejë “shkakun”  për të shprehur pakënaqësitë dhe reagimet edhe të paarsyeshme edhe të padrejta dhe për të shtyrë procesin sa më shpejtë që të jetë e mundur. Shtyrja e procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë është interes ekskluziv i Serbisë dhe i Rusisë”, tha ai.

Tutje ish-zëvendëskryeministri i Kosovës tha se  këtë qëllim të Serbisë e kanë thënë edhe miqtë më të mëdhenj që ka Kosova dhe populli i saj, duke filluar nga presidenti amerikan e deir te përfaqësuest e vendeve mike të Evropës.

“Ne domosdoshmërisht duhet të bëjmë pjesën tonë të punës që të mos mbetemi shkaktarë ose kontribues të shtyrjes së procesit sepse shtyrja e procesit është një lotari e pasigurt, nuk ofron siguri”, shtoi ai.

ShBA dhe BE kanë kërkuar që të ketë shtyrje deri në 10 muaj. Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se afati i fundit mbetët 31 tetori ndonëse siç është shprehur ai Qeveria është e përkushtuar për ruajtjen e qetësisë dhe paqes dhe se propozimet e partnerëve ndërkombëtar i marrin shumë seriozisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat