Ilir Kërçeli, këshilltari i kryekuvendarit, Glauk Konjufca, pretendon se prapa tollovisë së krijuar në trafik të premten fshihet një tjetër qëllim: një spin-off ndaj ngjarjeve të fundit në Komunën e Prishtinës.
Kërçeli, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka nënkuptuar se tollovia e shkaktuar në kryeqytet si pasojë e testimit të rrugës njëkahëshe po bëhet për të tërhequr vëmendjen nga emërimet e njerëzve politikë në ndërmarrjet publike.
“Si të harrohet kapja e Ndërmarrjeve Publike në Prishtinë?”, ka pyetur Kërçeli, në një publikim në Facebook, të cilit ia ka bashkëngjitur disa fotografia nga rrugët e bllokuara të kryeqytetit.
Të enjten, Bordi i Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing” Sh.A, emëroi Bardh Krasniqin, këshilltarin e kryetarit Përparim Rama, në pozitën e Kryeshefit të ndërmarrjes.
Më parë, një tjetër njeri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, u propozua për Kryeshef të Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.