Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në pritje të qendrimit të shteteve të QUINT-it, meqë përfaqësuesve të këtyre të fundit në takim ua ka prezantuar vendimin për targat ilegale që po qarkullojnë në Kosovë.
Kurti, në një konferencë për media, ka deklaruar se përfaqësuesit e QUINT-it i kanë kërkuar kohë shefit të ekzekutivit, meqë po presin për konsultim me kryeqendrat diplomatike.
“Me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë. Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë që gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë që kjo është zgjidhja më e mirë, me ç’rast ata natyrisht që nuk e dinin ata këtë propozim tonin paraprakisht”, deklaroi Kurti.
“Ata thanë se u nevojitet të konsultohen me kryeqendrat e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin. Pra, ata tashmë janë të njoftuar dhe natyrisht kryeqendrat do të mund ta thonë tash pas këtij komunikimi edhe qëndrimin e tyre”, shtoi ai.