Nikaj: Qeveria Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me miqtë ndërkombëtar

Aktuale

Nikaj: Qeveria Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me miqtë ndërkombëtar

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 13:50
Bernard Nikaj

Vendimet e Qeverisë Kurti po e vendosin Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe SHBA-të, vlerësoi kështu në një konferencë për media, Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.

Sipas Nikaj, kjo qasje joserioze, është njëra nga arsyet që Kosova nuk po arrin asnjë rezultat në realizimin e objektivave shtetëror.

“Kryeministri po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij edhe po vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtar. Kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë zbatimin e vendimit për gati 6 muaj duke u tërhequr nga qëndrimi i tij, por edhe duke sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo qasje joserioze Kosovën po e shndërron në palë destruktive dhe po e vë në pikëpyetje mbështetjen ndërkombëtare për vendin, e mbi të gjitha nuk po arrin rezultat në realizimin e asnjë objektivi shtetëror”, deklaroi Nikaj të shtunën në konferencë.

Më tej, Nikaj theksoi se në këtë situatë qëllimi i Qeverisë aktuale do të duhej të ishte zbatimi pa shtyrje të mëtejmë i vendimit legjitim në funksion të sundimit të ligjit në veri të vendit, ose koordinimi i plotë me partnerët ndërkombëtar për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut.

“Por, me vendimin e Qeverisë nuk u arrit asnjëra nga këto qëllime”, shtoi tutje Nikaj.

Dje Qeveria e Kosovës në mbledhjen ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia, në ato RKS. Kryeministri Albin Kurti, ka propozuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat