Ish- ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një deklaratë rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
DASH ka kërkuar shtyrje të plotë të vendimit për targat, e që për ish ministren kjo është një deklaratë shqetësuese.
“Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një konference direkte nga Washingtoni të Zëdhënësit Ned Price, posa lëshoi edhe një deklaratë shqetësuese rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targat:
‘Ne kërkojmë shtyrje të plotë të vendimit për targat. Ne nuk kërkojmë shtyerje të pjesshme. Nuk na duhet implementimi me faza.’ - tha para pak minutash zëdhënësi Price!”, ka shkruar Haradinaj Stublla në Facebook.
Ajo tha se për shkak të luftës në Ukrainë, dhe afërsisë së Serbisë me Rusinë, shihet qartë që Perëndimi dëshiron ta mbajë sa më afër vetes Serbinë, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të vazhdueshme që bëjnë.
“Në reagim eklipsohet totalisht sjellja e Serbisë ndaj ZvKM Bislimi (shkelje flagrante e marrëveshjes për shkëmbimin e vizitave), si dhe instrumentalizimi i vazhdueshëm që Serbia ua bën serbëve të Kosovës duke i nxitur për dhunë, tensione, e mospërfillje ndaj organeve të rendit e sigurisë së Kosovës”, u shpreh ajo.
Ish ministrja theksoi se presionin asimetrik ndërkombëtar ndaj saj, Kosova mund ta përballojë e tejkalojë vetëm me unitet politik përballë Serbisë, me qëndrime të përbashkëta e të fuqishme, e koordinim ndërpartiak.
“Çdo kalkulim për vota përmes temës së dialogut me Serbinë, po bëhet në kurriz të Kosovës. Koha t‘i themi mjaft më kësaj praktike të dëmshme. Këtë e don populli!”, ka përfunduar ajo.