Ish ministrja e Energjisë: Nuk kam pas fare kompetencë në blerjen e energjisë

Aktuale

Ish ministrja e Energjisë: Nuk kam pas fare kompetencë në blerjen e energjisë

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Ish ministrja e Ekonomisë dhe Minierave për periudhën 2008-2011, Justina Pula-Shiroka ka deklaruar se gjatë udhëheqjes së saj nuk ka pasur fare kompetenca sa i përket blerjes së energjisë elektrike. Ajo madje u shpreh se ka qenë edhe kundër privatizimit të aseteve të distribuimit të rrjetit energjetik të KEK-ut.

Këto komente ajo i bëri gjatë raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike. 

Pula-Shiroka e cila ishte ministre e Ekonomisë gjatë periudhës 2008-2011 u shpreh se nuk ka pas asnjë kompetencë apo njohuri për blerjen e energjisë elektrike. 

Ajo thotë se nuk ka pasur asnjë informacion për asnjë transaksion të blerjes së energjisë elektrike, por theksoi se vazhdimisht ka kërkuar gjenerim të sigurt. 

Pula-Shiroka: Sa i përket importit të energjisë nuk jam në dijeni 

“Ndoshta si ministre unë kam kërkuar prej KEK-ut me gjener, me qenë gjenerimi i sigurt dhe me u shpërnda me siguru energjinë, por kompetencë fare nuk kam pasur sa i përket blerjes së energjisë apo kompanitë që kanë bërë lobim kompania cila ka qenë…Sa i përket importit të energjisë nuk jam në dijeni asnjëherë nuk jam përzëri mund të kem kërkuar për të siguruar energji, por kujt ia marrin dhe me çfarë çmimi asnjëherë kanë qenë nën kompetencat e mija”, tha ajo. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja pyeti për situatën energjetike në veri. 

Muja: A keni qenë në dijeni për vështirësitë në veri 

“Në lidhje me situatën në veri edhe gjatë kohës sa keni qenë ju ministre ka pasur vështirësi në atë kohë. Drejtorit të KEK-ut në atë kohë, Arben Gjukaj thotë në procesverbal se është dakorduar me ju dhe kryeministrin që të takohet me kryeministrin e Serbisë dhe atyre tu propozoj formimin e një kontraktori një firmë të re në veri të vendit, të quajtur Esko e cila më vonë është quajtur Elektroserver a keni qenë ju e përfshirë në këto informacione dhe a është e vërtetë se është konsultuar me ty “, pyeti Muja. 

E ish ministrja e Ekonomisë, u shpreh se nuk kanë pasur mundësi për ndërhyrje në veri për shkak të ndërkombëtarëve. 

Pula-Shiroka theksoi se vazhdimisht ka kërkuar atë kohë që edhe qytetarët serbë të paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë. 

Pula-Shiroka: Për shkak të ndërkombëtarëve nuk kemi pasur ndërhyrje në veri 

“Ka pasur përfshirje dhe nuk kemi pasur mundësi as qasje prej ndërkombëtare me ndërhyrë atje….Nuk po më kujtohet diçka që ka qenë e di që tërë kohë kemi diskutuar si me gjet një mundësi një zgjidhje që me qenë edhe ata pjesë e pagesës së rrymës për shkak se gjithmonë e kemi diskutuar pse njerëzit tanë me pagu e ata jo, këtë e di që gjithmonë e kemi diskutuar me qeverinë dhe me ndërkombëtarët, me USAID dhe Bankën Botërore por a kam qenë direkt e përfshirë nuk mund të them derisa ma kanë përmend emrin ndoshta kam qenë por nuk më kujtohet….sa i përket importeve të rrymës e këtyre fare nuk kam qenë e involvuar tash drejt me iu tregu por nuk po më kujtohet ”, tha ajo. 

Lidhur me rënien e blloqeve ish ministrja, tha se kjo ka ndodhur por nuk ka qenë e qëllimshme. 

Ajo tha se vazhdimisht ka kërkuar që të bëhet remonti me kohë. 

Pula-Shiroka: Rënia e blloqeve ka ndodhur por pa qëllim, kemi kërkuar remont 

“Është e vërtetë që ka pas rënie të blloqeve rënie të blloqeve ka me pas ende, rënia e parë kur ka pas rënie të blloqeve unë e kam pas një ndjenj shumë të vështirë, por duke fol me inxhinierët e KEK dhe këshilltarët më është thënë se nëse remonti nuk është bërë me kohë dhe 100 për qind sa duhet rënia e blloqeve mund të ndodh kohë pas kohe, edhe kur është blloku i ri mund të ndodh për shkak të tensioneve. Ka pas rënie të blloqeve por nuk ka qenë me qëllim që e kemi shtyrë por ka qenë ndoshta neglizhenca e atyre që e kanë bërë remontin apo nuk mund të them se është bërë me qëllim….kam kërkuar iu lutem bëni remontet me kohë kam shkuar i kam vizituar për të qenë në presion apo ndikim indirekt sepse nuk kam pas të drejtë sepse ka qenë përzierje e kompetencave por kemi kërkuar vazhdimisht që të gjenerohen që të bëhen riparime dhe të kemi furnizim cilësor dhe permanent”, theksoi ajo. 

Deputeti i LVV-së, Muja po ashtu ka pyetur rreth propozimit të ish ministers sa i përket shthurjes së KEK-ut, propozim të cilin edhe ajo pohoi se e ka bërë.

Ndërsa, u shpreh se përkundër që kishte propozuar shthurjen e KEK-ut, gjithmonë ka qenë kundër privatizimit të infrastrukturës së KEK-ut.

Pula-Shiroka: Në qeverisjen tonë nuk janë privatizuar

“Në qeverisjen tonë nuk janë privatizuar ato janë privatizua në qeverisje tjetër të cilët ju i keni vetë anëtar të cilët kanë ndikuar në privaitzimin e tyre.. nuk është privatizuar në kohën time dhe kjo është shumë me rëndësi dhe as në kohën time nuk e kam dhënë lejen për tu privatizuar, është diskutuar kjo por jo në kohën time kjo është diçka tjetër”, tha ajo.

Lidhur me projektin e Kosovës së Re, ish ministrja e Ekonomisë, Justina Pula-Shiroka deklaroi se ky projekt i cili kishte nisur nga një qeverisje para saj e që ishte propozuar të kishte kapacitet prej 2 mijë mgw, ajo kishte propozuar që të ulen kapacitetet e prodhimit në 1 mijë mgë.

Ajo gjatë raportimit thotë se ky projekt nuk u vazhdua nga qeverisjet pasuese. 

Pula-Shiroka: Edhe VV e ka kundërshtuar projektin e Kosovës së Re 

“Në anën tjetër dhe VV ka qenë shumë kundër projektit të Kosovës së Re dhe këto kanë qenë edhe pjesë e parlamentit por edhe shoqëria civile, na është dashur pak kohë ta mendojmë se çka ndodh a është i realizueshëm projekti 2 mijë mgw apo duhet të bëhet ristruktimi…Kemi ardhur në përfundim që situata e cila po paraqitet edhe pse ka pas krizë energjetike edhe në Kosovë por jo edhe në të gjitha vendet është menduar që Kosova e Re mos të investohet si 2 mijë mgw por të bëhet njëfarë ristrukturimi për kapacitetet më të vogla e dyta kapacitetet jo të bëhen 2 mijë por 1 mijë ku si fazë e parë 500, plus 500 Sibovci si pjesë e lëndës së parë thëngjilli të jepet vetëm për 500 mgw e jo në tërësi ”,theksoi ajo. 

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi u interesua të dijë se pse në vitin 2009 ish ministrja, Pula-Shiroka e kishte kundërshtuar rivitalizimin e bllokut A2. 

Thaçi: Pse e detyruat të mos ndodh rivitalizimi i bllokut A2 

Në fillim të vitit 2009 KEK ka vendosur ta rivitalizoj bllokun A2, por ju e keni detyruar që kjo të mos bëhet”, theksoi ai. 

E ish ministrja e Ekonomisë, tha se ky kundërshtim i saj kishte ardhur pas kërkesës së ndërkombëtare të cilët kishin kërkuar blloqet A1 dhe A2 të mbylleshin. 

Pula-Shiroka: Bashkësia evropiane kërkoi që këto blloqe të mbylleshin 

“Është e vërtetë që unë kam qenë kundër rivitalizimit të bllokut A1 dhe A2, A1 ka qenë shumë më e vjetër për shkak se bashkësia evropiane traktatit për komunitetin e energjisë na kanë dhënë detyrë që termoelektrana A1 dhe A2 të mbyllet deri në fund të vitit 2015-2016 dhe nuk ka rivatizilim për këto blloqe dhe e kemi pas si detyrë ndaj Traktatit për Komunitetin e Energjisë, për atë kam qenë kundër”, tha ajo.

Ish ministrja e Energjisë dhe Minirerave, Justina Pula-Shiroka krejt në fund tha se ndihet shumë mirë dhe rehat që nuk ka bërë gabime të mëdha gjatë udhëheqjes së saj. 

Pula-Shiroka: Ndihem mirë që nuk kam bërë gabime të mëdha 

“Edhe pse mua Muja dhe këta më kritikuan shumë që kam qenë mbajeni mend se kur je ministre ti je e obliguar në disa rrjedha je në komitetet të përcaktimit të këshillit drejtues por në fakt unë ndihem shumë mirë pavarësisht punët e vogla dhe të mëdha, por unë ndihem shumë mirë dhe rehat që nuk kam bërë gabime të mëdha, ndonjëherë është më mirë me qenë e pasuksesshme duke mos kryer ndonjë projekt sesa me qenë e suksesshme e duke bërë gabime të mëdha”, theksoi ai. 

Në Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ishte paraparë të intervistohej edhe Lutfi Zharku, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë i cili kishte njoftuar se ndodhet jashtë vendit, kurse dhe Ahmet Shala, ish-ministrit të Ekonomisë kishte shprehur gaditshmërinë të raportoj online.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat