Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, thotë ambasadori i saj në Beograd

Aktuale

Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, thotë ambasadori i saj në Beograd

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 17:57
Volodymyr Tolkach

Qëndrimi i Ukrainës në raport me pavarësinë e Kosovës, nuk pritet të ndryshojë.

Kështu së paku është shprehur ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach, gjatë një takimi me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Serbisë, thuhet se “ambasadori Tolkach konfirmoi se qëndrimi i Ukrainës për çështjen e Kosovës nuk do të ndryshojë”.

“Dy vendet tona kanë detyrën e vështirë për të mbrojtur parimet e së drejtës publike ndërkombëtare. Jemi të vetëdijshëm se situata në Kosovë nuk është e lehtë dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje të fuqishme për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit tuaj. Parimet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe siç theksojnë zyrtarët serbë, kur mbrojmë integritetin tonë, ne e mbrojmë atë edhe për të tjerët”, tha Tolkach.

Orliqi me këtë rast falënderoi Ukrainën “për qëndrimin e saj parimor për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” dhe deklaroi se “Serbia mbron respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe respektimin e plotë për integritetit territorial dhe sovranitetit të të gjitha shteteve anëtare të OKB-së”.

“Fatkeqësisht, ne e dimë se ka nga ata që me fjalët e tyre mbrojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare, por haptazi i shkelin ato, si në shembullin e Kosovës dhe Metohisë”, tha ai dhe shtoi se “Prishtina edhe një herë po përpiqet të kërcënojë paqen me lëvizje të njëanshme dhe të rrezikshme”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat