Vetura e djegur në Zubin Potok në orën 03:00 të së mërkurës i takon serbit, Bojan Bozoviç.
Ai lajmin e ka publikuar vetë në rrjete sociale duke thënë se ai dhe familja e tij i mbijetuan terrorit gjatë natës derisa ka thënë se vetura nuk është riregjistruar, por ka tash e 16 vite me regjistrim RKS.
Zjarrvënësit i ka quajtur frikacak derisa shpreson që institucionet të dalin me emrat e autorëve.
“Fatkeqësisht, një lajm i keq. Sonte i mbijetuam terrorit. Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë.
Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS. Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”, ka shkruar Bojan Bozovic.