Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas pamjeve shokuese nga Shtëpia e Pleqve në Pejë, ku shihet një grua e moshuar teksa dhunohet fizikisht nga një infermiere.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.
Ai ka ftuar policinë që të sjellin para drejtësisë personat e implikuar në rast.
Postimi i plotë
Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë.
Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.
Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor.