Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar për videon në të cilën shfaqet dhunë ndaj një të moshuare në një shtëpi të të moshuarve në Pejë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se jo vetëm infermierja që e rreh të moshuarën, por edhe dy të tjerat që qeshin, janë fajtore.
“Trajtimi çnjerëzor ndaj të moshuarës shpërfaq sjelljet shtazarake jo vetëm të infermierës që rrah të moshuarën por edhe dy të tjerave që qeshin dhe pajtohen me sjellje të tillë, përfshirë personin e katërtë që inxhizon! Të gjithë janë të dyshuar si bashkë fajtor në krim dhe të gjithë duhet të përgjigjen penalisht!”, ka shkruar Miftaraj.
Në një video që është publikuar sot gjatë ditës, shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket sikur të jenë infermiere.
Ngjarja ka ndodhur në një shtëpi private të të moshuarve, e cila quhet “Orenda” dhe ndodhet në Pejë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se për rastin janë arrestuar dy infermiere.