Organizata e Veteranëve në Gjakovë ka reaguar pas rastit të rëndë në Pejë ku një e moshuar u keqtrajtua nga disa infermiere në qendrën e të moshuarave “Orenda” në Pejë.
Të shokuar nga publikimi i pamjeve, OVL në Gjakovë thonë se kjo erdhi si shkak i demonizimit të skajshëm të kategorive të dala nga lufta meqenëse gruaja që u keqtrajtua në këtë qendër është e ëma e dëshmorit Taulant Nura.
“Njerëzit që janë sot në pushtet, në bashkëpunim me segmente të tjera proserbe në Kosovë, tash e shumë vite trumpetojnë kundër Luftës Çlirimtare dhe me mbështetjen edhe të disa mediave, kanë arritur të demonizojnë skajshëm kategoritë e dala nga lufta. Mbjellja e urrejtjes kundër çdo elementi çlirimtar nga ky soj i fëlliqur, që nga kryeministri e deri te ministrat, deputetët, aktivistët e falangat fashiste të mediave sociale, ka nxjerr gjenerata të cilat e shohin me përçeshje, nënçmim e pa asnjë copëz respekti secilin që në mënyrë të ndryshme ka kontribuar për lirinë e vendit”, thuhet në reagimin e OVL-së në Gjakovë.
Nga kjo organizatë thonë se do ta përcjellin me kujdes secilin veprim shtetëror lidhur me këtë rast.
“Nana e dëshmorit Taulant Nura, nuk është e vetmja që bie viktimë e urrejtjes së vlerave të lirisë. Raste të çdoditshme, ndodhin anembanë vendit, por, durimi ynë e ka një kufi. Ne bëjmë të ditur që çdo fyerje apo keqtrajtim i bartësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të trajtohet si sulm personal kundër secilit prej nesh. Nëse shteti të cilin ne e themeluam nuk ka mekanizma që na mbrojnë, atëherë ne do të jemi të detyruar ta mbrojmë vetveten. Të paktën këtë zanat e zotërojmë më së miri’, shkruhet në këtë njoftim.