Për takimin me kryeministrin Albin Kurti, është deklaruar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell. Në një postim në Twitter, ai thotë se në takimin me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për situatën në veri, derisa ka thënë se veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme.
“Marrëveshjet e dialogut duhen të diskutohen. Ftojmë të gjithë të veprojnë në përmbajtje”, ka deklaruar Borell, i cili gjithashtu ka thanë se në këtë takim kanë diskutuar edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti takohet me Borrellin e Lajçakun: Vendimi për targat është legjitim
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, kanë qenë temë boshte e takimit.
Po ashtu, sipas njoftimit, është diskutuar edhe për vendimin e fundit të Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit.
Në këtë njoftim thuhet se në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Ndërkaq bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.
Sa i përket çështjes së energjisë, kryeministri Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.