Me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, e moshuara e cila u sulmua nga infermieret në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” do të bëjë ekzaminim psikik në Spitalin e Pejës.
Këtë e ka konfirmuar për zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Nikçi tha se pasi neuropsikiatri i angazhuar për këtë rast të pranojë raportin për gjendjen e viktimës, do të vlerësojë nëse e moshuara është në gjendje të jap deklaratë.
“Me autorizim të Prokurorisë është angazhuar një neuropsikiatër i cili do të bëjë ekzaminimin psikik të viktimës, dhe pasi i njëjti të pranojë raportin, do të vlerësojë nëse është në gjendje për t’u deklaruar për rastin”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ditën e djeshme u publikua video ku një e moshuar është sulmuar nga një infermiere, derisa kolege të saj talleshin gjatë aktit mizor që ajo po kryente.
Deri tani, janë arrestuar tri infermiere dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Të njëjtat ngarkohen për tri vepra të ndryshme penale.
“E para ngarkohet për veprën penale “sulm”, e arrestuara e dytë për “ndihmë me veprën penale sulm”, si dhe e treta për “incizim të paautorizuar”, tha Fadil Gashi.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Prokuroria njoftoi se sot do të intervistohen i gjithë stafi dhe banorët e kësaj qendre.
“Nesër me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty. Besoj që nga këto raste do të pranojmë informata, varësisht çka deklarojnë. Gjatë rrugës që ishim këtu kemi pranuar raportime tjera që lidhen me këtë rast”, tha Nikçi.