Opinionistja Kimete Berisha në një postim të saj në Facebook ka shkruar se si nuk doli asnjë politikan t’I uroj shërim Presidentes Vjosa Osmani e cila iu nënshtrua një operacioni.
Berisha shkruan se madje as Kryeministri Albin Kurti nuk e bëri një veprim të tillë.
Sipas saj, ‘nuk gjykohet njeriu i shtrirë. Pasi të shërohet, mund të hapet tema se a ka bërë mirë a ka bërë keq Presidentja...’.
Postimi i plotë:
S'paske pas një pikë mëshirë...!
Kur e kam thyer dorën, mendimi i parë ka qenë: o Zot, mos po bie në duart e ndonjë mjeku që nuk i pëlqejnë shkrimet e mia.
Frika ime doli e rreme, sepse doktori ishte fantastik, ma lexoi frikën dhe më premtoi se do të kujdesej për dorën time, sikur për dorën e tij - dhe ashtu më doli.
Kur ke nevojë për ndihmë, ti nuk lyp luks, se s'ka ndihmë luksoze, por ti lyp siguri... dhe privatësi, sidomos privatësi.
Unë mendoj se shoqëria shqiptare është në krizë të madhe morale:
Shqiptarët e japin t'gjall'të që t'i fshehin të 'metat' e tyre fizike, por vullnetarisht i zbulojnë dhe ekspozojnë të metat shpirtërore dhe urrejtjen...
është në modë të jesh 'thi njeri'.
Nuk e kuptoj se sa me lehtësi gjykohen vuajtjet e një njeriu.
Vuajtje 'dikushi' dhe vuajtje 'askushi' nuk ka.
Nuk ka vuajtje presidenciale dhe vuajtje të rëndomtë.
Vuajtja i barazon njerëzit.
Pyetja është se pse nuk u gjet një politikan, së paku Albin Kurti, t'i urojë shërim Presidentes.
Kështu nuk kemi parë kurrë.
Gjithmonë ka qenë zanat që t'i urohet shërim atij që është paqejf.
Është hera e parë që të gjithë heshtin...
Ka një kohë për të gjykuar.
Ka një kohë për të mirëkuptuar.
Nuk gjykohet njeriu i shtrirë.
Pasi të shërohet, mund të hapet tema se a ka bërë mirë a ka bërë keq Presidentja...
P.S. Edhe sikur mëshira e Zotit të binte nga qielli si shi, nuk besoj se do të zbuste inatin dhe mllefin e kësaj shoqërie pa zemër.