Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shoqëruar nga drejtues të tjerë të partisë si dhe familjarë, kanë bërë homazhe pranë varrit të Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes i cili vdiq 6 vjet më parë në burgun e Prizrenit.
Kurti tha se kontributi i Astrit Deharit është shembull për secilin aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shtoi se e mbajnë në zemër ashtu siç Astriti kishte në zemër Lëvizjen Vetëvendosje.
Kurti: Astrit Dehari është shembull për të gjithë në Lëvizje
“Vendosëm lule të freskëta këtu tek varri i tij (Astrit Deharit), për kujtim dhe nderim për kontributin dhe sakrificën së tij, një njeriut të Lëvizjes sonë i cili ka punuar aq shumë që ne të jemi këtu ku jemi sot. Shembulli i të cilët është ilustrim për secilin aktivist, prej meje si kryetar e deri tek ata të cilat janë nëpër pikat të Vetëvendosjes anë e mbanë Kosovës dhe në diasporë. Astrit Dehari është aktivisti i Lëvizjes i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bënë që t’ia përkujtojmë vetës rrugën që kemi ndjekur per të ardhur këtu por dhe drejtimin që duhet të vazhdojmë ta mbajmë për të shkuar atje ku duhet për të mirën e shtetit, popullit, shoqërisë e të kombit tonë”, tha ai.
Deputeti, njëherit babai i Astritit, Avni Dehari, falënderoi të gjithë për homazhet sot ndërsa tha se mbështetja e miqve dhe qytetarëve i bënë të jenë më të fortë.
Dehari: Mbështetja na mban të fortë
“Vetëm mund t’i falënderoj të gjithë bashkëveprimtarët, shokët, miqtë, dashamirët, qytetarët e shumtë që vijnë dhe na nderojnë në këto përvjetorë, qoftë të Arbënorit, qoftë të Astritit, nuk na lënë vetë dhe na mbështesin dhe kjo na bënë të qëndrojmë më të fortë”, tha Dehari.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se ka qenë e pamundur të imagjinohet që në Kosovën e çliruar të ndodhin vrasje të tilla si e Astrit Deharit. Ajo tha se mbesin me shpresë se përgjegjësit do të përballen me ligjin.
Kusari-Lila: Përgjegjësit duhet të përballen me ligjin
“Sot jemi këtu për të rikujtuar në gjashtë vjetorin e ndarjes nga jeta të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin i cili në duart e shtetit e humbi jetën në rrethanat të cilat tashmë po sqarohen çdo ditë e më tepër, në rrethana të dhunshme për një drejtësi e cila ende nuk është përfunduar. Është shumë e vështirë të dihet se në Kosovën e pas luftës në një shtet demokratik kanë mundur të ndodhin situata e rrethana që paraqesin një ngarkesë kaq të rëndë dhe një dhimbje kaq të madhe për familjen dhe për të gjithë aktivistët dhe secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Mbesim të përkushtuar se drejtësia shpejtë do të bie në vendin e vet të gjitha rrethanat që dërguan vdekjen e Astritit do të zbardhen e natyrisht edhe ata përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin”, tha Kusari-Lila.
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.