Protesta për Trust/ Qytetarët u kërkojnë deputetëve të votojnë pro tërheqjes së 30 për qind të mjeteve

Aktuale

Protesta për Trust/ Qytetarët u kërkojnë deputetëve të votojnë pro tërheqjes së 30 për qind të mjeteve

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 12:50
Pamje nga protesta

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në kërkim të tërheqjes së mjeteve të tyre nga Trusti Pensional. Organizatorët e kësaj nisme, kërkuan nga deputetët që Projektligji për lejimin e tërheqjes së Trustit të trajtohet me urgjencë, dhe i njëjti të përkrahet nga ligjvënësit.

Iniciatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, duke përmendur krizën ekonomike, tha se lejimi i tërheqjes së Trustit do të kishte impakt pozitiv në ekonomi.

“Jemi këtu që të ju bëjmë thirrje deputetëve që të mos e vonojnë Projektligjin ër tërheqjen e Trustit dhe ta dërgojnë sa më shpejt në Kuvend. Gjithashtu, edhe Komisionit Parlamentar i bëjmë thirrje që ta procedojnë në Kuvend. Edhe deputetët e pozitës dhe opozitës të votojnë pro tërheqjes prej 30%. Të mos mungojnë në kohën kur të hidhet në votim ky projektligj. Qytetarët janë në borgje, kanë probleme financiare, inflacioni është rritur skajshmërishtë”, tha Jashari.

Ai shtoi se janë mbledhur mbi 21 mijë nënshkrime.

Thirrjeve për tërheqje të mjeteve nga Trusti iu është bashkuar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ai tha se populli duhet të pyetet dhe kërkesat e qytetarëve duhet të aprovohen nga deputetët.

“Kriza është e madhe dhe humbjet që kanë ndodh gjatë kësaj periudhe në investimet e Trustit janë të mëdha”, tha Haxhiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat