Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë.
Haradinaj tha se destabilizimi i situatës nuk është në favor të askujt, përveç të atyre që ndjekin agjendën ruse.
Krahas kësaj, ai kërkoi nga Kurti që “të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”.
Postimi i plotë
Sot me Këshillin e Përgjithshëm të Aleancës, riafirmuam vendosmërinë tonë për mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës dhe orientimin proamerikan.
Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara. Kosova është shtet i të gjithëve, e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse.
Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.