Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është i shqetësuar me zhvillimet në veri të vendit ndërsa i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që të sqarojë qytetarët e Kosovës se çfarë është duke ndodhur.
“Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, shkroi Krasniqi.
Ai tha se qytetarë duhet të dinë se cilët do të jenë hapat e radhës të institucioneve të Kosovës.
Reagimi i plotë i Krasniqit:
Zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedentë, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.
Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje.
Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t'i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.
Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë.