Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova ka komentuar vendimin e Listës Serbe gjatë ditës së sotme.
Ai në një postim në Facebook shkruan se vendimi i tillë ka qenë i pritur, pas ngjarjeve të fundit dhe në dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi.
Madje, ish deputeti Rugova u ka bërë thirrje edhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentes Vjosa Osmani që të veprojnë urgjentisht. Ndërsa edhe opozitës i bën thirrje që të veprojnë bashkarisht.
Postimi i plotë:
Vendimi i Listës Serbe për tërheqje nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ishte veprim i pritshëm pas ngjarjeve të fundit si në rrafshin e jashtëm ashtu edhe në procesin dhe dinamikën e dialogut Kosovë - Serbi. Nga dita e djeshme Vuçiq ka filluar fazën e parë të pengimit të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mbi bazën e propozimit franko - gjerman që defakto do të thotë marrëveshje në mes të shteteve. Sot Vuçiq ishte në mbledhjen e veçantë të qeverisë serbe, takoj ambasadorin rus dhe atë kinez e pas këtyre takimeve shkoj te patriarhu serb bashkë me Daçiq dhe përfaqësuesin e serbëve të Bosnjes Milorad Dodik! Kjo flet për hapa tejet të koordinuar nga pala serbe!
Ku jemi ni si shtet, si institucione dhe spektër politik?!
Deklarata në FB nga krerët e shtetit, njëjtë edhe opozita që kritikojnë qeverinë për mos parandalim të këtyre veprimeve nga serbët lokal. Moskoordinim, inate politike dhe mentalitet adoleshentësh! Këndelluni o njerëz! Me Serbinë kemi punë!
Kryeministër,
Thirre me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare;
Presidente,
Thirre me urgjencë udhëheqjen institucionale, liderët politik, Ministrat e sektorit të sigurisë dhe diplomacisë dhe ambasadorët e QUINT- it në Kosovë;
Nga këto takime koordinohuni ngushtë, veproni në mënyrë të sinkronizuar, bëhuni transparent me opinionin publik dhe kryeni me përgjegjësi detyrat e parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës!
Uniteti funksional dhe përgjegjësia shtetërore duhet të jetë në nivelin më të lartë!
Ky dimër do jetë sfidues për ne dhe shtetësinë tonë!
Bëhuni bashkë!
E drejta është në anën tonë!
Kosova mbi të gjitha.