Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk po i ndalon deklaratat kundër kryeministrit Kurti.
Ai së fundmi tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Quint-it ia bënë Kosovës një kërkesë që “nuk është vetëm politike”, por sipas tij, “garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit”.
Haradinaj u shpreh se ata që dalin jashtë kësaj kërkese, nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit, përcjell “Bota sot”.
Gjithashtu ai ceku menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat.
Postimi i plotë
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dijnë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponzorëve dhe satelitëve të saj.
Por;
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale;
Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri;
Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit;
Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës;
Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.