Policia e Kosovës njoftoi se pavarësisht dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën veriore, ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara.
Nëpërmjet një komunikate për medie, Policia ka njoftuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri.
Komunikata e plotë:
Referuar zhvillimeve aktuale ju informojmë se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri.
Njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara.
Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, të gjitha veprimet do t'i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.