Lista Serbe bëri të ditur më 5 nëntor se zyrtarët serbë në Kuvend, Qeveri, pushteti lokal, Polici, Gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës do të largohen, derisa Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga vendimi për targat.
Pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, dje në veri të Mitrovicës është mbajtur një protestë.
Në protestën e serbëve janë paraqitur disa kërkesa, njëra ndër to ka qenë edhe formimi i Asociacionit.
Lidhur me situatën në veri, ka reaguar ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj tha se situata në vend është e komplikuar, Qeveria duhet ta gjejë një zgjidhje.
“Situata është shumë e komplikuar pas dorëheqjeve së strukturave të ndryshme që kanë punuar në institucion e Kosovës sidomos ato të sigurisë janë shumë të ndjeshme dhe është situatë jo e lehtë për t’u menaxhuar por Qeveria duhet ta gjejë një zgjidhje”, potencoi ai.
Ish-drejtori i Policisë thotë se përshkallëzimi i situatën në veri të vendit varet nga Beogradi.
Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk e kanë këtë qëllim sikurse serbët.
“Popullata në veri, Lista Serbe të gjithë atje janë duke marrë urdhër dhe instruksione nga Beogradi se a do të ketë përshkallëzim apo jo krejt n ‘varet se çka vendos Beogradi. Institucionet e Kosovës në asnjë moment nuk kanë për qëllim të ketë përshkallëzim në aspektin e sigurisë mirëpo krejt kjo varet nga Beogradi”, u shpreh Qalaj.
Ai tha se stacionet policore duhet të jenë të mbrojtja në këso situata, pasi kanë materiale të ndjeshme.
“Stacionet policore nuk guxojnë të mbesin pa policë sepse ato ofrojnë siguri që ndihmojnë rendin publik mbajnë qetësinë dhe në polici ka dhomë të dëshmive ka materiale të ndjeshme dhe ato gjithsesi duhet të jenë në mbrojtjen e policisë”, theksoi Qalaj,.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për regjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.