Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka proceduar kërkesën për zëvendësim të dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.
Kjo vjen pasi sot ata i dorëzuan në Kuvend mandatet e tyre të deputetëve.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat.
Të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Ndërkaq të dielën më 6 nëntor, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e katër komunave veriore.