“Ndezi aeroplanët luftarakë”/ Shasha tregon lajmin e mirë për Kosovën: Topi te Vuçiqi!

Aktuale

“Ndezi aeroplanët luftarakë”/ Shasha tregon lajmin e mirë për Kosovën: Topi te Vuçiqi!

Nga: A.M Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 22:35
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka komentuar situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, derisa krahasoi veprimet e Putinit me Vuçiqin.

Shasha tha se ishte Vuçiqi ai që ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë, ndezi aeroplanët luftarakë, dhe refuzoi të dialogojë, njëjtë si Putini.

“Ai ngrit gatishmërinë luftarake të ushtrisë, ndez aeroplanët luftarak, inspekton tenkat në manovrën ushtarake, ndërmerr veprime kriminale në veri dhe tërheq Listen Srpska nga institucionet, sepse sikur Putini mendon se dialogu ka sens vetëm nga pozicioni i forcës.

E gjithë kjo është punë e tyre. Punë e jonë është të qëndrojmë çdo herë në një vijë me aleatët dhe të ruajmë qetësinë dhe racionalitetin. Është lajm i mirë që neve kemi thënë po planit franko-gjerman. Topi është tash tek Vuçiqi. Është zgjedhja e tij nëse ai i vë topit flakë”, shkroi ndër të tjera Shasha në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Imagjinoni për një moment që Ukraina ka kolapsuar menjëherë në muajin shkurt të këtij viti. Imagjinoni për një moment që NATO-ja është përçarë dhe ka dështuar t'i kundërvihet Rusisë. Mendoni se ish ndalë Rusia në Ukrainë? Mendoni se Putini fitimtar nuk kish kërkuar negociata dhe koncesione për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi? Mendoni se Serbia kish pas qëllime të mira për rajonin?

Çdo gjë që ndodh sot është fal trimërisë së Ukrainës dhe përkushtimit të hekurt të NATO-së. Çdo ditë e luftës së suksesshme në Ukrainë është një ditë më shumë paqeje në Ballkan. Dështimi i projektit të “Botes Ruse” në Ukrainë është drejtpërdrejtë i lidhur me dështimin e projektit të “Serbisë së Madhe” në Ballkan. Dhe sot ashtu siç po dështon Rusia në Ukrainë, ashtu po dështon Serbia në Ballkan. Dhe pikërisht kjo është dritarja e mundësisë së aleatëve. Kjo është arsyeja e urgjencës së aleateve tonë për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë. Ata dëshirojnë të vulosin marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë tani kur Rusia dhe Serbia janë në disavantazh. Tani kur kushtet e marrëveshjes diktohen nga perëndimi. Tani kur Rusia nuk pranohet si akter legjitim në skenën ndërkombëtare. Nesër nuk dihet si do të jetë.

Tani gjithë këtë e kupton Vuçiqi. Prandaj, ai po ec sot nëpër një vijë shumë shumë të hollë politike. Me një anë, ai po shtynë dakordimin për marrëveshjen finale sa më shumë nën shpresën e fitores Ruse në Ukrainë dhe kushtet më të mira gjeopolitike për arritjen e marrëveshjes (prandaj shtyrja e sanksioneve Ruse, prandaj shtyrja e konstituimit të qeverisë serbe). Ndërsa në anën tjetër, ai po krijon narracion dramatik të brendshëm (aeroplanët luftarak, “bisedat tërë natën me Serbët e veriut”, “zhvillime tektonike”) me qëllim të krijimit të mjedisit politik i cili do t’i lejon të lëviz drejt marrëveshjes franko-gjermane atëherë kur perëndimi do e mbështet për muri (sanksione tregtare, furnizimi me energji, vizat).

Dhe në gjithë këtë sfond duhet kuptuar atë që ka kuptuar George Kennan para gjysmë shekulli: Rusia dhe Serbia kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Prandaj, edhe sot kur janë të gjunjëzuar ata ende shohin vetëm dhunën, shantazhin dhe kërcënimin si kategoritë e dobishme për realizimin e interesave të tyre. Kur Putini pa që po humbet në Ukrainë, ai kërcënoj perëndimin me masakrimin e civilëve ukrainas. Kur ajo nuk funksionoj, ai kërcënoj perëndimin me ndalimin e eksportit të grurit dhe krizën e ushqimit. Kur as ajo nuk funksionoj, ai kërcënoj perëndimin me gaz dhe krizën energjetike. Kur as ajo nuk funksionoj, tani Putini kërcënon perëndimin me armë bërthamore. Në asnjë nga këto momente Putini nuk shqyrtoj mundësinë e dialogut, sepse në botëkuptimin e tij dialogu ka sens vetëm nga pozicioni i forcës. Kështu duhet kuptuar edhe lëvizjet e fundit të Vuçiqit. Ai ngrit gatishmërinë luftarake të ushtrisë, ndez aeroplanët luftarak, inspekton tenkat në manovrën ushtarake, ndërmerr veprime kriminale në veri dhe tërheq Listen Srpska nga institucionet sepse sikur Putini mendon se dialogu ka sens vetëm nga pozicioni i forcës.

E gjithë kjo është punë e tyre. Punë e jonë është të qëndrojmë çdo herë në një vijë me aleatët dhe të ruajmë qetësinë dhe racionalitetin. Është lajm i mirë që neve kemi thënë po planit franko-gjerman. Topi është tash tek Vuçiqi. Është zgjedhja e tij nëse ai i vë topit flakë.

Në fund të gjitha këto zhvillime kanë një të mirë: gjendja po lëviz nga status-quoja. Dialogu moti nuk ka qenë nën kushtet më të mëdhaja të urgjencës. Kjo ka sjellur vëmendjen e të gjithë akterëve relevant në dialog. Duke huazuar nga ai togfjalëshi i bukur: Dialogu ka pasur kuriozitetin e aleatëve, tani e ka vëmendjen e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat