Seancë me tensione në Kuvend, deputeti i PDK-së nervozohet dhe lëshon sallën

Aktuale

Seancë me tensione në Kuvend, deputeti i PDK-së nervozohet dhe lëshon sallën

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 12:40 më 08.11.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi miratoi Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan

Kuvendi i Kosovës të martën miratoi edhe në lexim të dytë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky Projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore kaloi me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Në seancën e sotme, deputetët me 65 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, e miratuan në lexim të dytë edhe Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.

Kuvendi me 65 vota miratoi në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.

Deputetët në një seancë të jashtëzakonshme paraprakisht, miratuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energji elektrike edhe për 30 ditë. /I.Shabani

Kuvendi vendos për zgjatjen e masave emergjente në energji, opozita kundër

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vazhdimin e masave emergjente për furnizimin me energji.

Pro vazhdimit të këtyre masave kanë votuar 65 deputetë.

Opozita s’ka marrë pjesë në votim.

Pas votimit të këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e kësaj seance, ku u diskutua për energjinë, për të hapur menjëherë punimet për seancën tjetër, ku do të diskutohet për caktimin e çmimit tavan për produktet esenciale.

​LDK kundër masave emergjente: Nuk zgjidhin krizën energjetike

Deputetja nga LDK Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se grupi parlamentar i këtij subjekti politik është kundër zgjatjes së masave emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.

Deputetja Bunjaku-Rexhepi ka thënë se këto masa nuk u bëjnë zgjidhje qytetarëve në këtë krizë energjetike.

Bunaku-Rexhepi: Masat nuk zgjidhin krizën energjetike

“Është hera e 6 që i njëjti arsyetim po vije për vazhdimin e masave emergjente dhe këto masa absolutisht nuk po bëjnë zgjidhje për qytetarët. Çka po ndryshon situata me energji elektrike me këto masa të panevojshme emergjente, cili është plani juaj si Qeveri? Vetë keni deklaruar se do të keni një dimër me reduktime të energjisë të mëdha. A keni bërë kontratë për blerjen e rrymës sikurse vendet tjera të rajonit? Ne jemi kundër këtyre masave emergjente sepse rryma pritet të shtrenjtohet, inflacioni në rritje, paga jo, projektligji për pagat nuk erdhi dhe mbi të gjitha ju me këtë kërkesë po dëshironi me legjitimua që do të ketë rritje të energjisë elektrike dhe qytetarëve të bëjnë jetë të papërballueshme”, theksoi ajo. 

Berisha iu bërtet pushtetarëve: Po bëni tradhti ndaj vendit – reagon Konjufca

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka kritikuar pozitën për thirrjen e seancës së Kuvendit ku po diskutohet për energjinë.

Berisha ka thënë se është dashtë të thirret seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën në veri.

“Nuk po mundem me aceptu se si është leju me u thirr një seancë e jashtëzakonshme për energjinë, qëto i kemi dëgju, të gjitha fjalë të njëjta qytetarët i kanë msu përmendësh. Kjo temë është shterru dhe e dimë që qytetarët kanë me pas një dimër të zi. Ajo cka kam prit ka qenë është më thirr seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet në veri”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka theksuar se qysh moti e ka paralajmëruar se Vetëvendosje ka me sjellë asociacionin.

“Prej se kam hy në politik kam paralajmëruar se ju jeni ata që keni me sjellë asociacionin,  kam paralajmërua për aktivetet në veri që përfundonin me happy end e kanë një prapavi përbrenda. Kur keni fillua me lujt me marrëveshjet të mbështetura nga SHBA, tendecna për reformatim më ka bë me dyshu se ju po rrëshqitni në diçka tjetër, ajo është tradhtia ndaj vendit tonë”, ka thënë Berisha duke i bërë të reagojnë deputetët e pozitës.

Pas tërheqjes së vrejtjes nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Berisha ka thënë se në Kuvend janë dëgjuar edhe ofendime më të mëdha, pikërisht nga partia që tani është në pushtet.

“Mos të ju brengos fjalori im se në këtë Kuvend kam dëgju fjalë edhe ma fyese i keni quajt kriminel burrat që kanë luftu me bo këtë shtet që e kem sot. E ju sot keni thirr një seancë për energjinë dhe po fyeni inteligjencën e popullit të Kosovës kinse asgjë s’po ndodhë”, ka theksuar deputeti i PDK-së.

Tahiri: Sot kryeministri do të duhej të raportonte për gjendjen në veri dhe partneritetin me ShBA-të

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar gjithë deputetet e Kuvendit të Kosovës për mos seriozitet pas zhvillimeve në pjesën veriore të Kosovës.

Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që të merren masa urgjente për situatën në veri të Kosovës, teksa u shpreh se është i habitur me qasjen e Kurtit.

“Si deputetë nuk jemi serioz, nuk jemi duke e trajtuar gjendjen e jashtëzakonshme me asnjë seriozitet. Për AAK-në, nevoja për masa urgjente është të merret për sigurinë në vend. Sot kryeministri do duhej të raportojë këtu për partneritetin me ShBA-të. Kam një pyetje për deputet e VV-së: A është dashtë Kryeministri Kurti sot me të vijë dhe të na tregojë, se si është situata në veri të Kosovës? Unë jam i habitur me qasjen e Kurtit”, tha Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për krizën energjetike, ku ka fajësuar Qeverinë që gjendja në këtë sektor është duke u keqësuar.

Sipas Tahirit, veprimet e Qeverisë Kurti në lidhje me këtë çështje janë simbolike.

“Kërkesa për marrjen e masave emergjente, tash e gjashtë herë na tregon disa tregues. E para ka të bëjë me një pyetje hipotetike: A është ka dëshiron Qeveria që 20 muaj të mbaj gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht, gjashtë herë radhazi të marë masa për këtë. Si është e mundur që për komisionin përkatës , Qeveria përmes Ministrisë të mos jep asnjë analizë, për gjendjen e energjisë elektrike. Kjo gjendje është duke u keqësuar dhe veprimet e Qeverisë janë simbolike”, përfundoi Tahiri.

Opozita kundër masave emergjente në energji

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka shprehur qëndrim kundër zgjatjes së masave emergjente në energji elektrike..

Ai përmendi edhe shpenzimet e buxhetit të shtetit sa herë që thirret një seancë.

“Askush nuk e ndalon Qeverinë që të marrë masa emergjente por kjo qasje është e gabuar. Nuk mund të mbijetoni vetëm me masa emergjente, GP i PDK është kundër zgjatjes së masave dmergjente. Ende nuk e keni sjellë strategjinë për energjinë elektrike. Nuk jeni transparent, nuk keni guxim intelektual dhe duhet të mbyllet kjo çështje”.

“Mëditje merrni çdo herë sa herë që kërkon ministrja të na thërras. Nuk shkon kështu, llogaritni që jemi thirr gjashtë herë me të njëjtin raport, llogaritni se sa shpenzime ka bërë ky Kuvend”, tha Shala.

Kundër këtyre masave ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Statovci kërkon nga deputetët që ta votojnë kërkesën e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për energjinë

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, në emër të GP të VV-së, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë kërkesën e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për energjinë.

Ajo tha se vendimi ka qenë mëse i nevojshëm, e sidomos pas agresionit të paprovokueshëm rus në Ukrainë, dhe situates se re te krijuar per sektorin energjetik.

“Për të arritur stabilitet energjetik, sidomos pas paralajmërive për një dimër të vështirë energjetik, Qeveria e Kosovës synon zgjatjen e këtyre masave edhe për 30 ditë, duke pasur parasysh çmimin e lartë të energjisë elektrike në tregun evropian nga ku dhe importohet energjia dhe pasigurine e stabilimenteve prodhuese ne vend”, tha ajo.

Deputetja e Guxo-s, përmendi edhe rezultatet e arritura falë masave emergjente. Ajo tha se në total nga Qeveria janë ndarë 19 milionë euro, e që janë në të mirë të qytetarëve.

“Miratimi i vendimit për zgjatjen e masave emergjente, jep mundesine, t’e mbrojë konsumatorët me një rend prioritar, duke pasur parasysh dhe ne fokus, pikerisht ata qe jane me ne nevojve. Së fundmi janë ndarë 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, dhe mbeshtetjes per konsumatoret fundore ne uljen e shpenzimeve per energjisë elektrike”, tha tutje ajo.

“Eshtë hapur thirrja për subvencionimin te eficiences se energjisë për qytetarët, ku interesimi i qytetarëve për të përfituar ishte i jashtëzakonshëm me mijëra aplikant, me ç’rast shifra e arritur nga aplikimet është mbi shumen e parapare. Parashihet që nga 6 milionë euro masa nxitëse, të kursehen 18 milionë nga importi i energjisë elektrike. Ne tërësi masat e deritanishme ka ndikuar dhe ne shpenzueshmerine racionale, ku statistikash kemi renje te konsumit te energjisë elektrike prej rreth 7”, tha ajo.

Ajo tha se duke marrë për bazë vështirësitë e një dimri që po vjen, dhe përkeqësimin me energji elektrike, zgjatja e masave janl të domosdoshme. "Me këto masa, Qeveria e Kosovës synon tutje të vazhdoj me nje qasje proactive ne menagjimin e krizës energjetike, zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike në sektorin e banimit duke pilotuar subvencione dhe stimulime të tjerë të efiçiencës së energjisë që do të racionalizoj konsumin e energjisë elektrike dhe të promovojnë përdorimin e pajisjeve të ngrohjes me efiçiencë energjike”, tha në fund Statovci.

“Hiqma mëditjen lirisht”, deputeti i PDK’së nervozohet dhe lëshon sallën e Kuvendit

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, e ka lëshuar sallën e Kuvendit, derisa në seancë po diskutohej për masat emergjente për energjinë.

Berisha ka thënë se s’do të jetë pjesë e kësaj seancë ku flitet për energji, e jo për situatën e sigurisë në vend.

Ai i ka kërkuar Kryeparlamentarit Glauk Konjufca që t’ia heq mëditjen.

“Keni thirr seancë për energjinë dhe po fyen inteligjencën e gjithë deputetëve dhe popullit shqiptar në Kosovë dhe po doni me prezantu situatën si të qetë e të mirë dhe kurgjë s’po ndodh…Unë z.kryetar sdo të jem pjesë e kësaj séance. Heqma mëditjen lirisht”, ka thënë Berisha.

Rizavanolli: Kemi ulje të konsumit të energjisë për 6 për qind

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për 6 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Rizvanolli gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që të miratohen për 30 ditë masat për menaxhimin e krizës energjetike.

“Siç e dini që gjatë verës disa njësi të termocentraleve kanë qenë në remont total e që nuk kanë mundur t’i mbulojnë tërësisht kërkesën e energjisë elektrike. Situata që nga ajo kohë ka shkuar duke u përkeqësuar dhe do të vazhdoj të mbetet e ndjeshme”, tha Rizvanolli.

Ajo ka përmendur subvencionet që ka dhënë Qeveria për menaxhimin e kësaj krize.

“Në funksion të mbështetjes së konsumit të energjisë, ku Qeveria ka ndarë mbi 6 milionë euro. Kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike për 6 për qind, krahasuar me vitin e kaluar”, ka shtuar ajo.

“Për t’iu përgjigjur situatës, ju lus që ta vazhdoni për 30 ditë masën për menaxhimin e krizës energjetike”, përfundoi Rizvanolli. 

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të martë seancë të jashtëzakonshme.

Pritet që të bëhet shqyrtimi i vendimit për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Seanca pritet të mbahet duke filluar nga ora 10:00.

Rendi i ditës:

Shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.03/103, datë 28.10.2022, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Rendi i ditës:

Shqyrtim i dytë i Projektligjit nr.08/L-179 për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg,Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-183 për mbështetjen e punëve publike,Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/ L-149 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për noterinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat