Përfundon takimi/ Opozita deklarohet se çfarë biseduan me kryeministrin Kurti

Aktuale

Përfundon takimi/ Opozita deklarohet se çfarë biseduan me kryeministrin Kurti

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 11:24 më 08.11.2022
Lumir Abdixhiku

Krasniqi: Sot kemi një situatë të re, e cila ka mundur të shmanget

Nga takimi me kryeministrin e vendit Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi tha se nuk ka dalur me ndonjë siguri se qeveria e di çfarë veprime duhet ndërmarrë për të mbajtur situatën nën kontroll. Sipas Krasniqit, papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesor të Kosovës, e kanë sjell një situatë e cila sipas tij mund të shmanget. Megjithatë, ai tha se qeveria do të ketë përkrahjen e PDK-së sa i përket veprimeve që e ruajnë shtetësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e Kosovës.

Pas takimit i cili u ftua nga Kurti për të biseduar rreth situatës së sigurisë në vend, pas zhvillimeve të fundit në veri që u përcjellën me dorëheqje të serbëve nga institucionet e Kosovës, Krasniqi tha se aktualisht Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme.

Krasniqi: Nga takimi me Kurtin nuk dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e di në çfarë drejtimi është duke shkuar

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qever e di në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll, sepse në fund të fundit qëllim i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe mbajtja e paqes, por me këtë rast edhe njëherë ja shpreha qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme, i duhen veprime të cilat e ruajnë shtetësinë dhe sovranitetin në çdo centimetër të Republikës së Kosovës, dhe që për sa i përket vazhdimësisë të ushtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore, por edhe të mirëmbajtjes së rendit publik, besa edhe të ofrimit të shërbimeve bazike, qeveria duhet t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ta ketë përkrahjen edhe të Partisë Demokratike të Kosovë, qoftë përmes veprimeve tona në kuvend apo në çfarëdo mundësie tjetër që ne e kemi”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, situata aktuale e krijuar ka mundur të shmanget.

Krasniqi: Sot kemi një situatë të re e cila kam mundur të shmanget

“Nuk mund të them me siguri se çka sot duhet të bëjë qeveria për të sjellur normalitetin. Mendoj që sot e kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmanget. Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesor të Kosovës duket se kanë sjell një momentum që ka mundur të shmanget”, tha kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se në takim kanë diskutuar gjithashtu për procesin e dialogut dhe propozimin franko-gjerman.

Sipas tij, Kosova duhet të merret me arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse finale dhe jo të merret me tema që sipas tij janë shumë teknike.

Pamje brenda takimit të Kurtit me opozitën: Sveçla në krye të vendit

Kryeministri Albin Kurti, ditën e sotme ka nisur në takim me liderët e tri partive opozitare.

Në takim ishte edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Me të nis takimi, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka lëshuar takimin, pasi siç ka thënë, Kurti nuk ka treguar pse i ka prishur mardhëniet me Amerikën.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin, sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”, shkroi Haradinaj në një status në Facebook.

Ndërsa pas takimit, ka folur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai është shprehur se nuk është i sigurt nëse Kurti dhe Qeveria po e dinë se në çfarë rruge po shkojnë për të ruajtur integritetin e Kosovës.

Po ashtu edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar koordinim urgjent me ShBA-në, ndërsa tha se Kurti s’ka plan për veriun.

Kurti i thotë vetëm dy fjalë pas takimit me liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar pas takimit me liderët e opozitës. Ai shkurt ka thënë se takimi ka shkuar “shumë mirë”, derisa ka dalë nga objekti i qeverisë.

Ndërkohë që liderët opozitarë kanë deklaruar se nga kreu i ekzekutivit nuk kanë dëgjuar asnjë plan konkret për të dalë nga situata në të cilën ndodhet vendi, pas largimit zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit.

I pari që lëshoi takimin ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook ka thënë se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një prononcim për media pas takimit me Kurtin, tha se ndjehet i pasigurt nëse ky i fundit e dinë se në çfraë rruge ka hyrë apo se si do të dalë.

Këtë mendim ndau para mediave edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan për të dalë nga situata në të cilën ndodhet. Derisa shtoi se nga ky takim nuk pa gatishmëri të Kurtit për koordinim me ShBA-në. 

Abdixhiku kërkon koordinim urgjent me ShBA-në: Kurti s’ka plan për veriun

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se në takimin me krerët opozitarë, kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë më shumë se deklaratat publike.

Ai tha se Qeveria s’duhet t’i sjellë qytetarët që të zgjedhin në mes të ligjshmërisë dhe aleatëve. Abdixhiku shtoi se Kurti e ka mbështetjen e LDK-së për të vendosur ligjshmëri në vend.

“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pas, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar”.

Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASH, me institucionet e sigurisë amerikane aleatët në Uashington dhe  Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd”.

Është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Një Qeveri që i kërkon popullit të zgjedh mes aleatëve dhe ligjshmërisë ka bërë gabim. Ne kërkojmë që kjo Qeveri të siguroj edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet”.

Krasniqi: Dola nga takimi i pasigurtë se Kurti e dinë në çfarë rruge po shkon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, tha se nuk ka marrë siguri lidhur me situatën në veri të vendit.

Ai ka folur edhe për planin franko-gjerman dhe hapat të cilët duhet t’i ndërmarrë Qeveria në të ardhmen.

Siç e dini unë ia dërguar një letër kryeministrit lidhur me situatën në veri, kemi hy në situatë që nuk ka epilog të qartë dhe eskalimi është i mundur”.

Patë diskutim si është situatë si ka ardh deri këtu, isha i interesuar të dëgjoj planet, nuk mund të them se dola me një siguri të madhe që Qeveri e di ku është duke shkuar dhe çka duhet të bëjë për të mbajtur situatën nën kontroll”.

Në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Qeveria të ndërmarrë veprimet që i takojmë do ta ketë përkrahjen e PDK-së për veprime të cilat që e ruajmë sukseset pas pavarësisë me integrimin e komunitetin serb në të gjitha institucionet dhe ruajtjen e sovranitetit”.

Mendoj që sot e kemi një situatë që ka mundur të shmanget, papjekuria dhe mungesa e koordinimit me aleatët duket sa kanë sjell momntum që mund të shmangej. Ne kemi diskutuar edhe për dialogun edhe për pozimin franko-gjermna”.

Takimi i Kurtit me opozitën, Veton Surroi shihet duke hyrë në Qeveri

Në kohën sa po mbahet takimi i kryeministrit Albin Kurti me liderët e opozitës, ku nga ky takim u pa duke dalë Ramush Haradinaj, në ambientet e Qeverisë është parë duke hyrë publicisti Veton Surroi.

Takimi i sotëm është thirrur pas tensionimit të situatës në veri të vendit me vendimin e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës që të largohen nga to.

​Haradinaj tregon arsyen e largimit nga takimi me Kurtin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka treguar edhe arsyen e largimit të tij nga takimi me kryeministrin Albin Kurti pak minuta pas fillimit të këtij të fundit.

Haradinaj ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka deklaruar ai. 

Haradinaj e lëshon takimin me Kurtin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka lëshuar takimin e thirrura nga kryeministri Albin Kurti.

Ai ka qëndruar në takim më pak se 30 minuta dhe nuk është deklaruar për media pse e ka lëshuar takimin.

Kurti mëngjesi e së martës i ka pritur në takim përveç Haradinajt  edhe kreun e PDK-së, Memli Krasniqin dhe atë të LDK-së Lumir Abdixhikun për të diskutuar për situatën në veri.

Opozita arrinë në takim me kryeministrin Kurti

Kryeministri Albin Kurti do t’i takojë kryetarët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit.

Pjesë e takimit është edhe kryetari i Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza.

Tensionet në Veri, Kurti i pret sot liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar liderët e opozitës për t’u takuar pas zhvillimeve të fundit në Veri.

Takimi sipas zyrës së kryeministrit do të mbahet rreth orës 08:00.

Ftesës për takimsot në mëngjes i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim”, tha Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

Ndërsa sipas zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blakës, “tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit”.

“Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, theksoi Blaka.

Por, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale për situatën e krijuar në Veri.

Përmes një letre të dërguar të hënën nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai ka thënë se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm.

Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat