Kurti flet për takimin me liderët e opozitës, ja si komenton marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Aktuale

Kurti flet për takimin me liderët e opozitës, ja si komenton marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 10:29 Përditësuar në ora: 12:01 më 08.11.2022
Albin Kurti gjatë takimit me opozitarët

Kurti: Nuk është e vërtetë që nuk e dimë rrugën ku po shkojmë

Përkundër që opozita doli e pakënaqur nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit e ka cilësuar si takim shumë të mirë dhe njoftues rreth situatës politike dhe të sigurisë .

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se përshtypja e tij karshi krerëve të partive opozitare është se ata janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues.

Këto komente, Kurti i bëri pas pjesëmarrjes së tij në “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023” e cila nisi sot.

Kurti: Takimi që pata me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë

“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, tha Kurti.

Lidhur me largimin nga takimi të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, shefi i ekzekutivit tha se për atë se kush e si sillet nuk mendoj se duhet t’i lë analistët pa punë.

Edhe sot ai theksoi se nuk ka kurrfarë prishjesh të raporteve me SHBA-në.

Kurti: Për atë se kush e si sillet nuk i lë analistët pa punë

“Koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT-in, BE, ShBA-në, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in, janë të vazhdueshme ndodhin nga disa herë në ditë andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cënimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit e të bashkërendimit. Ndërkaq, për atë se kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët në debatet e mbrëmjes”, theksoi ai.

Lidhur me deklarimet e kreut të LDK-ës, Lumir Abdixhiku se Qeveria nuk ka plan për çështjen e veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo nuk është e vërtetë.

Sipas tij rruga e tyre është rrugë e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave.

Kurti: Nuk është e vërtetë që nuk e dimë rrugën ku po shkojmë

“Nuk është e vërtetë që nuk dimë ne se çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, e kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe bashkërendim me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë perëndimor.... Plani i veprimit është plan i organeve tona të sigurisë dhe ato bëjnë vlerësime mbi veprimet dhe reagimet që ne bëjmë. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjit, sipas procedurave dhe rregullave në respektim të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se me krerët e partive opozitare gjatë takimit që zhvilloi sot diskutuan edhe për procesin e dialogut.

Kurti: Kemi biseduar edhe për dialogun dhe idetë me të cilat po testohen palët

“Kemi biseduar edhe për procesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel dhe dialogun i cili do të jetë gjithmonë parimor dhe simetrik, dhe gjithashtu për idetë, opsionet, modelet me të cilën testohen palët, por në të njëjtën kohë edhe përpiqen faktorët ndërkombëtar që të arrijmë deri tek marrëveshja finale e cila duhet të jetë për normalizim të plotë e me njohje reciproke në qendër”, theksoi ai.

Tutje, shefi i qeverisë kosovare tha se sa herë do të ketë nevojë do t’i ftoj rregullisht krerët e partive opozitare, dhe në dorën e tyre do të jetë se a do të shkojnë në takime apo jo.

Kurti: Unë do t’i ftoj rregullisht sa herë mundemi e ka nevojë

“Unë do t’i ftoj rregullisht sa herë mundemi e ka nevojë, është në dorën e tyre të vijnë ose jo, nuk është e vërtet se në këtë takim ka qenë sikur takimet që zhvillohen publikisht e para mediave, përkundrazi ka qenë bashkëbisedim i hapur dhe serioz”, theksoi ai.

Kur u pyet nga gazetarët se nga opozita a ka pas kërkesë specifike për shtyrje të vendimit për targat, Kurti tha shkurt jo.

Derisa theksoi se deri sot janë shqiptuar mbi 900 qortime për qytetarët serbë që qarkullojnë me targa ilegale.

Kurti: Sot është dita ku është tejkaluar numri prej 900 qortimeve

“Sot është dita ku është tejkaluar numri prej 900 i qortimeve apo vërejtjeve që u janë dhënë qytetarëve serbë që kanë tabela ilegale deri më 21 nëntor do të vazhdoj kësisoj, ndërkaq pas 21 nëntorit siç e kemi thënë duhet të kalohet tek gjobat siç i parasheh ligji, nuk janë thjesht vendime qeveritare janë ligje shtetërore”, theksoi ai.

Lidhur me vendosjen e flamujve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para objektit të Qeverisë së Kosovës, kreu i ekzekutivit tha se të gjithë janë të lirë të bëjnë çka të duan përbrenda ligjit dhe kushtetutshmërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e sotëm priti në takim krerët e partive opozitare. Këtij takimi iu përgjigjën liderët e opozitës, përshirë atë të PDK-së, Memli Krasniq, LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

E Haradinaj pak qaste pasi nisi takimi doli, ndërsa në Facebook shkroi se u detyrua ta lëshoj takimin sepse kryeministri Kurti, mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre.

Ky takim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët opozitarë ndodhi pas zhvillimeve në veri ku zyrtarët serbë nga 5 nëntori kanë dorëzuar mandatet dhe detyrat e tyre në qeverisjen lokale dhe qendrore

​Kurti: Përshtypja ime është se krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues

Pas takimit që ka zhvilluar me opozitën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi me krerët opozitarë ishte shumë i mirë dhe ishte takim njoftues për situatën politike dhe sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz.

"Përshtypja ime është se krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues", tha ai.

Lidhur me largimin e Haradinajt nga takimi ai tha se nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishje të raporteve koordinimi me ambasadorët e QUINT-it SHBA-së dhe BE-së dhe nuk është e vepër që ka kurrfarë cënimi të raporteve përkundrazi ka dendësi të komunikimit. Për atë se si kush sillet nuk mendoj se duhet ti lë analistët pa punë.

“Nuk është e vërtet që nuk e dinë çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë kushtetutshmërisë”, tha ai.

Kurti i thotë vetëm dy fjalë pas takimit me liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar pas takimit me liderët e opozitës. Ai shkurt ka thënë se takimi ka shkuar “shumë mirë”, derisa ka dalë nga objekti i qeverisë.

Ndërkohë që liderët opozitarë kanë deklaruar se nga kreu i ekzekutivit nuk kanë dëgjuar asnjë plan konkret për të dalë nga situata në të cilën ndodhet vendi, pas largimit zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit.

I pari që lëshoi takimin ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook ka thënë se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një prononcim për media pas takimit me Kurtin, tha se ndjehet i pasigurt nëse ky i fundit e dinë se në çfraë rruge ka hyrë apo se si do të dalë.

Këtë mendim ndau para mediave edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan për të dalë nga situata në të cilën ndodhet. Derisa shtoi se nga ky takim nuk pa gatishmëri të Kurtit për koordinim me ShBA-në. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat