Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, mezi foli pas tri ditë zhvillimesh dramatike në veri të vendit. Që të gjitha të orkestruara sipas një skenari të përpunuar mirë nga Beogradi.
Por, Edi Rama, që mezi foli, më shumë se 24 orë pas një deklarate megjithatë pozitive nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, nuk foli fare për Kosovën, në cicërimin e tij në tviter, duke e parë thjesht si një çështje që duhet të zgjidhet në dialog me SHBA e BE.
Deri në këtë pikë gjërat duken në rregull, dhe retorika normale. Por, është e papranueshme, që kjo retorikë e tij, nuk plotësohet me asnjë kritikë ndaj serbëve dhe Serbisë.
Refuzim për të gjykuar e fajësuar serbët
Ai tregohet plotësisht indiferent ndaj asaj se çfarë kanë bërë serbët atje, dhe më e rëndësishmja se çfarë ka bërë Vuçiqi.
Indiferenca në këtë rast, nuk është thjesht mosvenerim i ngjarjeve, por refuzim për të gjykuar e fajësuar serbët. Duke fajësuar serbët, Rama do të bënte indirekt fajtor Vuçiqin, sepse të gjithë e dinë, dhe është fakt publik, notor, se vendimet e fundit të serbëve janë marrë së bashku apo më saktë, i kanë marrë sipas këshillave që ua ka dhënë Vuçiqi.
Kjo heshtje e tij, mosmbrojtje e Kosovës shpjegohet dhe argumentohet, me gjysmën tjetër, kur ai për 9 muaj rresht, dhe sigurisht se do të vazhdojë, ishte avokati dhe diplomati më i madh në botë, që e mbronte dhe e nxirrte Serbinë nga akuzat dhe trysnia perëndimore, për shkak të pozicionimit të saj të hapur proRusisë. Serbia kurrë si vuri sanksione Rusisë, dhe ajo vazhdon të jetë në anën e pushtimit rus të Ukrainës, pavarësisht që formalisht shprehej pro sovranitetit ukrainas.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/November/08/auto_Edi-Rama-si-kaloresi-ort1667900771.jpg)
Edi Rama duke u dekoruar me Urdhrin “Kalorës i ortodoksisë”
Serbia jo vetëm, që nuk i ndërpreu lidhjet me Rusinë, por në kulmin e luftës nënshkruante marrëveshje në OKB në Nju Jork, për koordinim me diplomacinë ruse.
Dhe sërish Edi Rama e mbronte me zjarrë Serbinë! Madje edhe duke përdorur mediat atje, që të kthehen me sa të munden kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në raport me Serbinë.
E kemi shkruar disa herë, se Edi Rama, i dekoruar me Urdhrin e Kalorësit të ortodoksisë, nuk mund të jetë ndryshe, përpos në anën e Serbisë dhe Greqisë, pavarësisht naivitetit dhe se si shqiptarët në Shqipëri, ia dalin ta justifikojnë. Sigurisht se para historisë ai do të zbulohet se është njëri prej antishqiptarëve më të mëdhenj, por ne e kemi hallin se çfarë të bëjmë sot!
Pritjet në kontekstin gjeopolitik
Për herë të parë këtyre ditëve mediat amerikane, britanike ej., duke iu referuar burimeve në Uashington, shkruajnë se administrata Biden është duke i kërkuar jozyrtarisht, presidentit të Ukrainës Zelenskit, që të ulet në bisedime me autokratin diktator Vladimir Putinin. “Zyrtarët e Biden” i kërkojnë Zelenskit të tregojë gatishmëri për bisedime me Putinin", shkruan timesofisrael duke iu referuar mediave amerikane.
“Administrata e Biden nuk e shtyn Kievin të ulet me Putinin, por dëshiron të qetësojë shqetësimet globale për ndikimin e luftës në koston e jetesës”, ka shkruar Uashington Post.
Deri më tash lideri ukrainas i ka refuzuar bisedimet me Putinin, por nuk ka refuzuar arritjen një marrëveshje, duke u zotuar për "zgjidhje paqësore përmes dialogut"!, sipas zyrës së Zelenskit.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/November/08/auto_ukrain-lufta-arm1667900869.jpg)
Por, gjërat nuk kanë një siguri të lartë në përplasjen e madhe, që deri më tash nuk ka ndodhur falë presionit të SHBA-ve, e cila e parandaloi Putinin të përdorte armët bërthamore, por edhe ato kimike e biologjike, nën kërcënimin me shkatërrim të Rusisë.
Në SHBA janë rritur pakënaqësitë si pasojë e rritjes së inflacionit për shkak të luftës. Mediat i referohen një sondazhi të Wall Street Journal, i cili dëshmon se mbështetja për financimin e luftës së Ukrainës ndaj Rusisë, ka rënë ndjeshëm në radhët e republikanëve, për rreth 42%.
Kështu që trysninë dhe përshpejtimin perëndimor që të ketë bisedime dhe marrëveshje me Serbinë duhet parë në raporte gjeostrategjike, dhe të cilat nuk sigurojnë një variabël të qëndrueshme në favorin tonë. Aq më keq që Shqipëria, qeveria e saj është duke u treguar e pandjeshme për fatin e veriut të Kosovës.