Melihate Tërmkolli: Burra e gra, vrap shpëtojeni Albinin nga Serbia, për Kosovën pret koha!

Aktuale

Melihate Tërmkolli: Burra e gra, vrap shpëtojeni Albinin nga Serbia, për Kosovën pret koha!

Nga: A.Zh Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 12:56
Melihate Tërmkolli dhe Albin Kurti

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Melihate Tërmkolli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po tallet me qytetarët, opozitën, aleatët dhe miqtë e Kosovës.

Ajo ka thënë se Kurti nuk ka asnjë plan për dalje nga situata e rënduar me veriun e Kosovës dhe as zgjidhje të problemit, përcjell Bota sot.

Sipas saj, deklarata se Serbia është kundër Albinit (e jo kundër Kosovës), shpërfaqë tërë perversitetin politik të këtij pushteti.

Reagimi i saj në Facebook:

Tallja me shtetin

Po tallet Albini me të gjithë, me qytetarët, me opozitën, me aleatët dhe miqtë e Kosovës, me shtetin e Kosovës.

Së paku ta realizonte vendimin për targat. Nuk e realizoi as vendimin për targat dhe as nuk përfilli sygjerimet e miqve e aleatëve të Kosovës për shtyerje të vendimit. Me veprimet e tij veç i dha shkasin Serbisë të bëjë atë që po bën në veri me qëllim të vetëm në realizimin e planit për ndarje politike territoriale të asaj pjese të Kosovës.

Albini po “komunikon” me aleatët dhe miqtë, pra as po bashkëpunon, as po koordinon veprimet me ta. Eksponentët e VV-së edhe më tutje bashkëpunimin e cilësojnë si nënshtrim ndaj SHBA-ve! Mbetet pikëpyetje e madhe me kë po bashkëpunojnë atëherë?!

Nëse plani francez-gjerman për marrëveshje finale midis Kosovës dhe Serbisë nuk përmbanë njohjen e ndërsjellë, aq i bën Serbisë për të. Edhe nëse ai plan e përmbanë njohjen e ndërsjellë, nuk ka kush ta detyrojë Serbinë për një gjë të tillë pa përfshirjen direkte të SHBA-ve në këtë proces.

Tani kur situata në veri është rënduar edhe më shumë, me tendencë të konfliktit, e shkaktuar nga Serbia, kur dëmi është bërë, Albini thërret për takim opozitën dhe nisë biseda me miqtë e aleatët. Tallja vazhdon, sepse ai nuk ka asnjë plan për dalje nga situata e aq më pak për zgjidhje të problemit.

Ndërkohë në veri dhe në ndonjë pjesë tjetër valojnë dy flamuj, serbët me flamurin e Serbisë ndërsa shqiptarët me flamurin e Shqipërisë (flamuri kombëtar). Mjaftueshëm për të treguar se nuk janë vetëm serbët që nuk e duan e nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.

Pse jo, përderisa në krye të shtetit është mohuesi më i madh i këtij shteti, me dekada.

Deklarata se Serbia është kundër Albinit (e jo kundër Kosovës), madje kundër tij është “krejt” bota, shpërfaqë tërë perversitetin politik të këtij pushteti.

Burra e gra, vrap shpëtojeni Albinin nga Serbia, për Kosovën pret koha!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat