Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bekim Çollaku, ka thënë se është për keqardhje që s’ka përgjigje të qartë nga ana e qeverisë sa i përket propozimit franko-gjerman.
Sipas tij, edhe zyrtarët e qeverisë edhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, po japin përgjigje gjysmake në lidhje me këtë dhe s’po sqarojnë asgjë.
“Opinoni publik e ka të drejtën ta dijë dhe e ka të drejtën të kërkojë llogaridhënie nga institucionet shtetërore se për çfarë plani bëhet fjalë, pse i njëjti plan nuk po bëhet publik dhe pse qytetarët dhe deputetët e kuvendit nuk janë të informuar se çfarë përgjigje konkrete i ka kthyer qeveria këtij plani”.
“Nuk ka transparencë sa i përket planit franko-gjerman, s’ka transparencë sa i përket përgjigjes së qeverisë dhe kjo është për keqardhje”, është shprehur Çollaku.
Tutje, ai tha se qeveria në këtë rast s’është konsultuar as me opozitën e as me deputetët e kuvendit, teksa sipas tij, qeveria po thotë se i ka kthyer përgjigje atyre që e kanë propozuar planin, teksa shtoi se me elementet e këtij plani është në dijeni edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Edhe kryetarit të PDK-së i janë bërë të njohura elementet e këtij plani nga përfaqësuesi i ShBA-së, Gabriel Escobar, dhe nga Mirosllav Lajçak”, është shprehur Çollaku.
Më tej, ai tha se Kosova është shumë larg mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.