Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës ka thënë se vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyrë me kërkesën e tij, e jo për shkaqe që janë raportuar në media.
Bulliqi ka thënë se ka kërkuar vetë nga Ambasada Amerikane që të shtyhet një takim i tillë, për shkak të agjendës së zënë.
“Aktualisht jemi në vizitë zyrtare në Austri, jemi duke marrë pjesë në ni kuorum të bizneseve dhe unë nuk mund të kthehem në Kosovë dhe kam kërkuar që ky takim të shtyhet”, ka thënë Bulliqi në një lidhje telefonike në Dukagjin.
Tutje, Bulliqi ka theksuar se komplet delegacioni e ka shtyrë takimin prandaj nuk qëndron ajo që është thënë.
Bulliqi, ka bërë të ditur se nuk ka një datë të caktuar për të realizuar takimin, por sipas tij vizita do të bëhet në një “moment të përshtatshëm”.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një bisedë me gazetarë, është përgjigjur në pyetjen nëse i është refuzuar viza për në SHBA ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ai nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë, por ka thënë se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë jashtë vendit, pasi kemi një krizë në Kosovë, dhe duhet angazhuar nga brenda që ajo të zgjidhet.
Hovenier duke u përgjigjur në pyetjen rreth vizës për ministren Haxhiu, ambasadori ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të merr vizë për në SHBA, por tani sipas tij meqë jemi në këtë krizë pas ngjarjeve në veri, mbase nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.
“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Përveç ministres Haxhiu, ambasadori Hovenier, ka thënë se as ministrat tjerë nuk duhet të udhëtojnë për në SHBA, që krizat të trajtohen këtu, dhe thotë se këtë ua kanë komunikuar zyrtarëve të ndryshëm në qeveri.
“Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.