Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, sërish ka komentuar rreth zhvillime të fundit politike në Kosovë.
Ai në shkrimin e tij të fundit në Facebook, ka përmendur kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajn, përcjell Bota sot.
Reagimi i tij:
Albini po ia kthen mbrapsht fjalët Amerikës!
Ramushi po byrykatët pa brina!
T’kam shkrua sa e sa herë për Larojen, jo pse kam dashtë me t’ba shytan, por pse kam dashtë me t’thanë se nuk shtihen brinat n’gardhiqet e hueja e nuk grryhet toka me thundra, nuk shitët trimni me mështjerra e mëzorë, se thehen brinat e përgjakën thundrat e bahesh mish për qen! Por s’ke dashtë me m’kuptua.
Për Gjergjin që lëngonte 9 vjet ju kam knua n’lahutë e kuptua s’e keni dhimbjen e motrës për 9 plagët e vllaut!
Kam thurë vargje për Jakupin, që rrinte n’kal me 7 plagë tue vrapua për Guci të Ali Pasha, me i kallxua për djemtë e Rugovës që Limin e kishin mbushë krena malazezësh e veshin vnue s’ma keni!
Për Demë Isufin shkrue ju kam që s’dihej a kishte tirqi a këmishë t’bardhë, se top i kuq ishte ba tue u pre me t’bijtë e Milanit.
Për mjekrrën e Ademit iu thash se s’ishte e zezë por e kuqe prej gjakut, e gau-gau bani lahuta, e ju e kthyet antenën kah Beba, Dua, Enca e këcyet rraga-dand-rraga-dang para defave!
Kur iu shkrova për babën tim, si gjelat kcyet: Shuej ore, se baba kemi edhe ne!
E di që s’jeni jetima, por s‘di a ju kan thanë babat tuej si m’thoshte mua kaçaku plak: __Për neve gjithmonë ka qenë e shkurtë liria! Herë i kcejshim bjeshkët e baheshim Shqipni e madhe e herë ktheheshim të djegun e baheshim Kosovë e përgjakun!
__Biro, ishalla nuk përseritët viti 44, se duhet me dalë prap kaçakë!
Ruejuni kur t’fryjnë ernat se mund ti sjellin kohët e vjetra e s’asht mirë mu përseritë fatet tona, m’thoshte e gau-gau i bante lahuta. Fatin e vet e këndonte n’penin e bishtit t’kalit!
Dhe unë po i druaj lirisë se shkurtë, si baba, kur po e ndëgjoj Albinin tue ia kthye mbrapsht fjalët Amerikës e Ramushi tue u byrykatë pa brina! E njiherë vërtetë duhesh me qenë knues e me knua! E s’asht viti 44 as viti 99! Asht viti 22 e miq pak e ma pak!
Sot prej Cyrihut po i lutem Zotit që unë ta kem gabim, e egoja e tyne të triumfoi, por ernat po fryjnë e lahuta s’po ban gau-gau ma!
Djetikon, 10.11.2022