Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron, kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë- Serbi dhe zhvillimet e fundit.
Kurti ka thënë se i ka propozuar presidentit francez, kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, gjersa ka shtuar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
“Në Pallatin Élysee u pritëm nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron.
Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik.
“Theksuam se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik. Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka deklaruar Kurti.