Dalin detaje nga takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun në Paris

Aktuale

Dalin detaje nga takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun në Paris

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 06:36 Përditësuar në ora: 12:02 më 11.11.2022
Josep Borrell dhe Albin Kurti

Kryeministri Kurti takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, para fillimit të forumit, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit, ku morën pjesë edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshik Ahmeti dhe këshilltarët e Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

Kurti takohet me Borrellin në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris. Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.

Ky takim ishte paralajmëruar të enjten nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nëpërmjet një postimi në Twitter. Ai bëri të ditur se Borrelli do të ketë takim gjatë së premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 nëntor se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

"Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]", thuhej në komunikatë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb janë larguar nga institucionet kosovare, erdhi pasi nisi zbatimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Ky plan parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Qeveria nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, përkundër insistimit nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërsa, në takimin e tij të së enjtes me presidentin Macron, Vuçiqi tha se i ka treguar homologut të tij francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa iu referua edhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatuan se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat