Pas kërcënimeve të Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, ato i ka vazhduar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Madje, ai ka kërcënuar duke gënjyer hapur. Sipas Daçiqit, Kosova nuk ka dërguar asnjëherë policë shqiptarë në veri.
Jo vetëm që janë dërguar policë shqiptarë në veri aktualisht, por kjo ka ndodhur në vazhdimësi që nga themelimi i saj, nën administrimin e UNMIK-ut si SHPK (Shërbimi Policor i Kosovës).
Po ashtu në vazhdimësi është dërguar policia në pikat kufitare, në bastisje, kontrolle rutinore e të tjera.
Rreziku nga një kuazi-kushtetutë serbe
Gjatë gjithë kohës sa serbët këtyre viteve janë përpjekur t’i bllokojnë rrugët, policët shqiptarë ishin atje në mbrojtje të kufirit dhe në situata të tjera në gjithë rajonin.
Madje, po të mos ishin policët shqiptarë të Kosovës atje, nuk do të ikte apo të hynte e të dilte vetëm ilegalisht në veri, njëri nga kryekriminelët serbë, Milan Radojçiq, ndërsa që Zvonko Veselinoviç, si duket as ilegalisht nuk guxon t’ia mësyjë Kosovës, që kur që të dy vitin e kaluar u futën në Listën e zezë të SHBA-ve.
Pra, Daçiqi gënjeu dhe mashtroi kur tha: “Asnjëherë nuk ka pasur policë shqiptarë në veri të Kosovës dhe nëse kjo ndodhë, serbët do të rezistojnë dhe askush nuk mund t’i ndalë”.
Vetëm një diplomat serb mund të gënjejë në dritë të diellit, si thuhet. Por, me shumë gjasë gënjeshtra e tij nuk është e rastësishme. Nëpërmjet tyre ata projektojnë qëllimet që i kanë.
Sigurisht, që këtë gjë duan që ta imponojnë në marrëveshjen e përgjithshme ose në statutin e ardhshëm të një organizimi serb.
Sipas Enver Hasanit, profesorit të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, ai projekt-dokument ngjan shumë me Kushtetutën e Republikës Serbe në Bosnje.
Pra, për të krijuar një kuazi-kushtetutë të re me kompetenca ekzekutive për serbët në veri të Kosovës, serbët duan që të krijojnë një realitet virtual, së pari nëpërmjet propagandimit- rrenës, dhe më pastaj, duke kërcënuar drejtpërdrejt në emër të saj.
“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dërgon policinë në veri, mund të ketë konflikte të armatosura dhe këtë e dinë të gjithë”, ka kërcënuar Daçiqi.
Këto kërcënime janë shpeshtuar, jo vetëm për shkak të situatës së krijuar në veri, por edhe për shkak të raporteve me Rusinë, dhe marrëveshjeve të fshehta të bëra ndër vite, për sinkronizim të sulmeve ruse në Ukrainë, me projektin serb për sulm në veri!
Aktualisht sipas raportimeve Rusia është duke i rihapur bunkerët e përgatitur për mbrojtje nga sulmet bërthamore. Në këtë kontekst rezulton se serbët ende janë duke shpresuar, se rrjedha e luftës në Ukrainë mund të përmbyset.
“Ndihemi të kërcënuar”
Rrezikun për një sulm të mundshëm, por jo të drejtpërdrejt nga Serbia e ka konfirmuar, jo si një informacion, por si ndjesi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Jemi republikë demokratike, por ndihemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë. Paqja në botë sot po rrezikohet nga agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane, pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”, ka thënë Konjufca para pjesëtarëve të FSK-së sot.
Ndërsa, dje Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri Projektligje që lidhen me FSK-në, të cilat heqin disa kufizime të përparshme për të rinjtë deri në 25 vjet që duan të bëhen pjesë e FSK-së e po ashtu edhe të kufizimeve të numrit të ushtarëve aktiv dhe rezervë.
Po ashtu Ministria e Mbrojtjes e ka përgatitur një projekt-marrëveshje për ta nënshkruar me Britaninë e Madhe, e cila do t’ia mundësonte FSK-së zbarkimin bashkë me ushtrinë e saj.
Të gjitha këto përpjekje të shtuara, duket se janë në vazhdimësi të arritjes së qëllimit që FSK-ja të dërgohet në veri, paraprakisht, para çfarëdo sulmi që mund të ndodhë nga grupe të armatosura kriminale, apo që në provokimin e parë që ato mund ta shkaktojnë.
Siç kemi shkruar dje, ka informacione zyrtare se qindra veta janë armatosur në veri të Kosovës, po ashtu janë të uniformuar dhe nën kontrollin e Serbisë.
Kosovës aktualisht i duhet edhe një plan për çarmatosjen e qindra serbëve, shumë prej të cilëve mund të jenë ish-polic të Kosovës, të cilët i dorëzuan uniformat pak ditë më parë.