Haradinaj: Situata e sigurisë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet

Aktuale

Haradinaj: Situata e sigurisë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 14:04
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj propozon që Kuvendi i Kosovës t’i kërkojnë qeverisë shtyrjen e vendimit për targat deri në marrëveshjen finale me Serbinë, si dhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me synim përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje. Këto, Haradinaj do t’i paraqes përmes një rezolute në një seancë ku do të ftohej në interpelancë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nëse nuk kalon kjo rezolutë, Haradinaj ka thënë se do të përdorin masa tjera për të ndaluar sipas tij përkeqësimin e situatës në vend.

Kreu i AAK-së ka thënë se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në 22 vitet e fundit.

Sipas tij, presidentja, Kuvendi dhe as qeveria nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës.

Haradinaj: Situata e sigurisë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet

Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet... Kryeministri i vendit në vend se të përfill kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat, ka zgjedh skenarin më të keq zbatimin e në faza të kësaj marrëveshje, çka i ka dhënë hapësirë Serbisë edhe të luaj rolin e viktimës edhe të ndërmarrë veprime anti Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Për shkak të kësaj, Haradinaj ka thënë se i ka shkruar kryetarit të Kuvendit të cilit i ka kërkuar që me urgjencë të thërrasë një seancë në të cilën do të ftohej në interpelancë kryeministri i Kosovës për të shtuar masat urgjente të qeverisë në raport me situatën e krijuar.

Në këtë seancë, Haradinaj ka thënë se do të propozojnë një rezolutë me katër pika, ndër të cilat ajo për shtyrjen e vendimit për targat.

Haradinaj: Kuvendi t’i kërkojë qeverisë shtyrjen e afatit për targa

“Pika një, Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshje finale me Serbinë, pika dy; institucionet e Kosovës presidentja, Kuvendi, Qeveria, institucione të tjera në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për tu kthyer në institucionet e Kosovës për të kthyer besimin e ndërsjellw, pika tre; Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët më relevantë në vend duke përfshirë edhe jo pozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar, pika e katërt; të kërkohet një samit në ShBA, takim disa ditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se kjo rezolutë është përpjekja e fundit që me mirëkuptim të ndryshohet gjendja.

Haradinaj: Do të shqyrtojmë masa të ndryshme për të penguar përkeqësimin e situatës në vend

“Rezoluta është përpjekja e fundit e imja, dhe e jona, që me mirëkuptim në rrugën institucionale, edhe në interes të vendit, të ndryshojmë gjendjen, pra gjendja është në drejtimin e gabuar. Nëse edhe pas interpelancës nuk do të arrijmë të kemi sukses me këtë rezolutë, nuk do të përfillen këshillat tona, atëherë do të shqyrtojmë masa të tjera për të penguar degradimin dhe përkeqësimin e situatës në vend”, ka thënë kreu i AAK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat