Profesori Universitar, Arben Fetoshi konsideron që zhvillimet e fundit në veri të vendit e kanë komplikuar situatën në raport me SHBA-të.
Sipas Fetoshi pozicioni i Kosovës është vështirësuar përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak se zyrtarët amerikanë kanë pritur nga Kosova që të fillojë formimin e Asociacionit të komunave serbe dhe ta shtyjë afatin e implementimit të marrëveshjes për targat.
“Zhvillimet e fundit në veri e kanë komplikuar situatën në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kam parasysh zhgënjimin dhe shqetësimin e shprehur të tyre publikisht nga Departamenti i Shtetit dhe Sekretari Blinken, e në këtë kuadër mendoj se tashmë pozicioni jonë është vështirësuar pak pasi që i dërguari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar dhe zyrtarët e tjerë amerikan e kanë thënë në mënyrë të përsëritur që presin nga Kosova që urgjentisht të fillojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe që të shtyjë afatin për implementimin e marrëveshjes për targat”, tha ai.
Në një lidhje direkte në Tëvë1, Fetoshi foli edhe për planin franko-gjerman të cilin e cilësoi si bazën prej ku do të bëhen përpjekjet për arritjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse është bazë e mire siç është vlerësuar nga institucionet e vendit atëherë kjo do të jetë pika prej ku do të bëhen përpjekje me përfshirjen më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe Serbia të ecin më shpejtë drejtë arritjes së marrëveshjes finale sidomos duke pasur parasysh kontekstin e ri gjeopolitik që paraqet lufta në Ukrainë për arsye se për SHBA-në ka qenë dhe mbetet tejet e rëndësishme që të përmbyllet sa më shpejtë konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Fetoshi.