Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi theksoi se është hera e parë për Kosovën që është në pozitë të tillë me aleatin më të fuqishëm të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje ajo tha se nuk e kujton që ndonjë Qeveri është qortuar në masën që është qortuar Qeveria Kurti.
Madje, ajo tha se në krahasim me Qeveritë e kaluara, Qeveria aktuale ka më tepër mundësi për të vepruar sipas kërkesave të SHBA-së.
“Duke pasur një opozitë që ka qenë mjaft konstruktive, që dialogun nuk e ka shfrytëzuar për politika të brendshme e për militantë, ka pasur duart hapur që të marrë vendime, të negociojë. Nuk e ka pasur të njëjtën situatë siç ka qenë në Qeveritë e kaluara, pra kemi pasur një opozitë që në vazhdimësi ka qenë kundër çdo marrëveshje, kundër dialogut. Pra, Qeveria Kurti tani e ka pasur një situatë shumë të relaksuar që të veprojë ashtu siç është kërkuar nga SHBA-të. Kurti nuk e ka presionin e opozitës që dikur PDK e ka pasur presionin e Vetëvendosjes”, vlerësoi Musliu-Shoshi.
Ndërkaq, sa i përket vendimit për targat ilegale, ajo theksoi se në qoftë se Qeveria Kurti do e shtynte vendimin për 10 muaj, ashtu siç ka kërkuar SHBA, nuk do ndodhte asgjë drastike, raporton teve1.info.
Më tej, ajo theksoi se është hera e parë për Kosovën që është në pozitë të tillë me aleatin më të fuqishëm të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është hera e parë që ne si shtet jemi në pozitë të tillë me aleatin tanë më të fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kujtoj që ndonjëherë ndonjë Qeveri është qortuar në masën që është qortuar Qeveria Kurti. Nuk e kujtoj që ndonjëherë ka pasur ministra që u është ndaluar hyrja në SHBA. Është mjaft shqetësuese marrëdhënia që kemi aktualisht me SHBA-të, mirëpo nuk është që e kemi mirë edhe me shtetet e BE-së”, tha ajo tutje.
Gjithashtu, shtoi se faza aktuale e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe zhvillimet në veri, mund të evitoheshin shumë lehtë.